Sheshi “Xhorxh Bush” përballet me vonesa, projekti kolosal ndalet dhe shkakton polemika
Plotë tre herë puna është filluar e më pas është ndaluar. Madje edhe mjetet e punës kanë mbetur këtu në sheshin “ Xhorxh Bush”, të Prishtinës tash e disa muaj.Kësisoj, ky projekt i Komunës së Prishtinës është pezulluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me arsyetimin se zona është pjesë e Qendrës Historike të…

Lajme
Plotë tre herë puna është filluar e më pas është ndaluar.
Madje edhe mjetet e punës kanë mbetur këtu në sheshin “ Xhorxh Bush”, të Prishtinës tash e disa muaj.Kësisoj, ky projekt i Komunës së Prishtinës është pezulluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me arsyetimin se zona është pjesë e Qendrës Historike të Prishtinës dhe përfshin monumente të trashëgimisë kulturore që gëzojnë mbrojtje ligjore.
Së fundmi, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kërkesën e Komunës për vendosjen e një mase sigurie që do të lejonte shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Vendimi i gjykatës konfirmon ndalimin e punimeve të cilat, sipas Inspektoratit, po zhvilloheshin pa leje të vlefshme.
E nga niveli lokal thonë se janë duku përgatitur dokumentacionin që të vazhdohen punimet në këtë lokacion.
“Tani rishtazi kemi marrë edhe një vendim prej Gjykatës Themelore, mirëpo Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës në vazhdimësi është duke e përgatitur dokumentacionin që ne të vazhdojmë tutje. Tani jemi duke punuar në 1/3 e projektit, në pjesën përreth Katedrales, te rruga ‘Mark Sopi’ dhe ‘Xhorxh Bush’, që më pas të kemi mundësi të vazhdojmë edhe në pjesën tjetër. Sepse ligjërisht, edhe leja që është lëshuar nga Urbanizmi fillimisht ka filluar nga hoteli ‘Grand’ deri te Katedralja, e cila është rrugë publike dhe lejohet intervenimi. Mirëpo, Ministria e Kulturës në këtë rast, bashkë me Inspektoratin dhe Entin për Mbrojtjen e Monumenteve, e kanë dërguar inspektoratin në terren për të na ndaluar punimet, kinse pa leje. Por çështja është tjetër, sepse projekti është kolosal, ka ndikim të madh në regjenerimin e zonës publike, në qendër të Prishtinës, dhe për këtë arsye është ndaluar e prolonguar deri tani”, ka thënë Kastrati.
Nga ana tjetër, opozita në Kuvendin Komunal kritikon qasjen e Komunës, duke e cilësuar vendimin për zhvillimin e punimeve në shesh, si të kundërligjshëm dhe të përsëritur.
“Gjykata ka vërtetuar ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë për pezullimin e punimeve, deri në sqarimin e plotë të kufijve të zonës së mbrojtur. Komuna e Prishtinës ka vepruar në mënyrë arbitrare, duke filluar punimet në kundërshtim me ligjin. Ky nuk është rasti i parë që ndodh një gjë e tillë. Përveç shkeljeve ligjore, sheshi ka mbetur në një gjendje të mjerueshme – as shesh, as rrugë.”, është shprehur Zeka.
Projekti, i cili ka nisur në muajin mars, ka një vlerë prej rreth 18 milionë euro dhe përfshin një sipërfaqe prej 606 mijë metra katrorë./teve1