Sherifi: Jemi duke u përafruar dita-ditës

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovë, Bilall Sherifi tha se votat e secilës parti janë vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Lajme

08/07/2014 00:50

Në emisionin Interaktiv të KTV-së, Sherifi ka thënë se Presidentja do të nominojë Ramush Haradinajn herën e dytë, sepse, sipas tij, koalicioni i opozitës i ka numrat e duhur.

“Unë mendoj se të gjithë janë vendimtarë, jo vetëm votat e Nismës, sepse pa asnjërën prej tyre nuk mund të bëhet qeveria e bllokut opozitar”.

“Nuk mund ta interpretojmë ndryshe nga Kushtetuesja, se nëse herën e parë me automatizëm fituesit të më shumë votave të ia jap mandatin dhe herën e dytë me diskrecion ia jep të drejtën Presidentes, dhe ajo duhet të ia jep mandatin atij që i jep siguri se i ka 61 vota që ta bëjë qeverinë. Ajo duhet të jetë e sigurt se mandatari i dytë i ka votat e nevojshme”.

“Mendoj që qeverinë duhet ta bëjë ky bllok qeverisës që ka nënshkruar marrëveshjen. Aktualisht jemi duke biseduar me Vetëvendosjen dhe besoj që, ashtu siç jemi përafruar deri më sot, do të përafrohemi edhe më shumë”.

Duke folur për kushtet e vëna nga Lëvizja Vetëvendosje ai ka thënë se ato janë “këndvështrime” mbi çështje të caktuara dhe jo kushte që mund të tingëllojnë si ultimatum.

“Unë më shumë i kisha thënë këndvështrimeve të Vetëvendosjes sesa kushte, sepse kushtet më shumë tingëllojnë si ultimatum sesa si kërkesa. Unë mendoj se VV ka disa këndvështrime mbi disa çështje”.

“Ne jemi të orientuar dhe po mendojmë pozitivisht dhe po bëjmë përpjekje maksimale që të përafrohemi dhe shpresoj që ky angazhim do të na sjell tek një marrëveshje e treshes dhe përkrahjen e Vetëvendosjes dhe të vazhdojmë më tutje”, ka thënë Sherifi duke shtuar se në tavolinën e bisedimeve me Vetëvendosjen po shtrohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me përafrimin e qëndrimeve, të cilat nuk do të mund të “revoltonin” as minoritetet, e veçmas minoritetin serb, i cili me Kushtetutë është i obliguar të jetë pjesë e Qeverisë.