​Shërbimi Sekret Amerikan merr në pyetje ish-shefin e FBI-së

Shërbimi Sekret i SHBA-së intervistoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, të premten për një postim në rrjetet sociale, ku ai akuzohet se ka bërë thirrje për vrasjen e Presidentit Donald Trump, sipas një zyrtari. “Sot, agjentët federalë nga @SecretService intervistuan ish-drejtorin e turpëruar të FBI-së, Comey, në lidhje me një postim në mediat sociale që…

Bota

17/05/2025 09:00

Shërbimi Sekret i SHBA-së intervistoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, të premten për një postim në rrjetet sociale, ku ai akuzohet se ka bërë thirrje për vrasjen e Presidentit Donald Trump, sipas një zyrtari.

“Sot, agjentët federalë nga @SecretService intervistuan ish-drejtorin e turpëruar të FBI-së, Comey, në lidhje me një postim në mediat sociale që bënte thirrje për vrasjen e Presidentit Trump”, shkroi Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, në X.

Komentet e saj erdhën një ditë pasi Comey postoi një foto në Instagram ku tregonte guaska deti të rregulluara në formacionin “86 47” me mbishkrimin: “Formacion i mrekullueshëm guaskash gjatë shëtitjes sime në plazh”, shkruan AA.

Termi “86” është shoqëruar në mënyrë kolektive me eliminimin e diçkaje ose të dikujt. Fjalori Merriam-Webster e ka përcaktuar atë si një refuzim “për t’i shërbyer (një klienti)” ose për të “hequr qafe” ose “për të hedhur poshtë” dikë ose diçka. Ndërkohë, “47” shihet si një referencë për Trumpin — presidentin e 47-të të SHBA-së.

Edhe pse Comey e fshiu shpejt foton, ajo u shpërnda gjerësisht në mediat sociale.

Noem tha se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e Trump.

“Ky është një hetim në vazhdim,” shtoi ajo.

Comey më vonë ndau një deklaratë në Instagram duke këmbëngulur se ishte një gabim.

“Postova një fotografi të disa guaskave që pashë sot gjatë një shëtitjeje në plazh, të cilat i supozova se ishin një mesazh politik.

“Nuk e dija që disa njerëz i lidhin ato numra me dhunën. Nuk më shkoi kurrë ndërmend, por unë jam kundër çdo lloji dhune, kështu që e hoqa postimin”, shkroi ai, transmeton kosovapress.

Trump akuzoi gjithashtu Comey-n se kishte bërë thirrje për vrasjen e tij.

“Ai e dinte saktësisht se çfarë do të thoshte kjo. Një fëmijë e di se çfarë do të thoshte kjo. Nëse je drejtor i FBI-së dhe nuk e di se çfarë do të thoshte kjo, kjo do të thoshte vrasje”, tha Trump për Fox News.