Shenjat e Panikut
Shpend Ahmeti thotë se kampin e LDK’së në Prishtinë e ka kapluar paniku i humbjes. Ai bën thirrje për përqendrim në fushatë për ta prezantuar alternativën e Vetëvendosjes për qeverisje në Prishtinë.

Lajme
Shpend Ahmeti i përgjigjet Isa Mustafës.
Pak kohë pasi Mustafa e akuzoi Ahmetin se po ndan votuesit e Prishtinës në pjesën urbane dhe rurale, ky i fundit është shprehur se kampin e LDK’së e ka kapluar paniku i humbjes në garën e balotazhit.
Prandaj, Ahmeti u ka bërë thirrje prishtinasve që të mos merren me këto deklarime.
“Shpifjet e tyre janë shenja të panikut”, ka thënë Shpend Ahmeti në profilin e tij në Facebook.
“Deklaratat se shumë lehtë po fitojnë me 1 dhjetor janë shenja të arrogancës që i kemi pa edhe para raundit të parë”.
“Të nderuar miq dhe përkrahës. Mos u merrni me këto sulme. Ne vazhdojmë punën tonë në çdo lagje e çdo fshat të komunës tonë për ta prezantuar programin tonë që është alternativë shumë më e mirë”.
“Kjo që po ndodh në Prishtinë është e re dhe e frikshme për disa. Njerëzit e bashkuar përtej vijave të subjekteve politike për të bërë ndryshimin që rrallë e hiq është parë në Kosovë. Kjo nuk ndalet me shpifje e arrogance. Kjo forcohet me punë vullnet e përkushtim”, është shprehur Shpend Ahmeti.
Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti do të përballen në balotazh më 1 dhjetor në garën zgjedhore për Kryetar të Prishtinës.