Shenjat e Kuvendit
Koalicioni qeveritar u shndërrua në pakicë, në seancën e së enjtes, kur dështoi në marrjen e vendimit për shitjen e PTK’së. Çfarë sinjali është mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës? Opozita flet për krizë dhe për shenja ndryshimi.
Lajme
Mungesa e kuorumit, e si pasojë edhe dështimi i Kuvendit të Kosovës, që të marrë disa vendime të rëndësishme, në seancën e rregullt plenare, që u mbajt këtë të enjte, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe u ka dhënë vrullshëm besim partive politike opozitare se ndryshimet mund të vijnë së shpejti.
Votimi i Raportit të Komisionit Qeveritar për PTK’në dështoi, për shkak të mungesës së kuorumit, në tri seanca.
Opozita kishte ndarë mendjen qysh më parë për bojkotim, me qëllim dështimin e privatizimit të PTK’së, duke e konsideruar atë, në mënyrën si është bërë, të dëmshme për ekonominë e vendit dhe vetë shtetin.
Krahas deputetëve të LDK’së, Vetëvendosjes dhe AAK’së, në seancë po ashtu nuk ishin prezentë edhe shumë deputetë të koalicionit qeveritar, përfshirë Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Koalicioni qeveritar i përbërë nga PDK, AKR dhe partitë minoritare, numerikisht ka votat e mjaftueshme për të kaluar çdo vendim që parashihet të miratohet me shumicën e thjeshtë, që i bie me 61 vota të deputetëve të pranishëm në sallë.
Zyrtarisht, koalicioni nuk ka problem për t’i siguruar numrat e nevojshëm. Por, praktikisht, situata është krejtësisht ndryshe. Kjo u pa edhe në seancën e së enjtes, kur koalicioni qeveritar, në mungesë të kuorumit, nuk arriti ta miratojë Raportin e Komisionit Qeveritar për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK’së.
Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, ka një shpjegim për këtë situatë.
“Kjo do të thotë se Qeveria dhe koalicioni qeveritar është në krizë”.
“Deputetët e koalicionit qeveritar, nuk është hera e parë që kanë treguar të papërgjegjshëm në punën e tyre.”
“Mirëpo, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht që opozita i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë”.
Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, partia më e madhe opozitare, LDK, i sheh si shenjat e para për ndryshimet, që, sipas saj, do të ndodhin në skenën politike.
Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, thotë se ka një angazhim për të krijuar një realitet të ri politik.
“Kjo do të thotë se realitetet politike në Kosovë po ndryshojnë dhe ky ndryshim duhet të konfirmohet së shpejti”.
“Sa i përket Qeverisë së Kosovë, ajo është në krizë që në themelimin e saj”.
Arben Gashi, po ashtu, ka thënë se LDK është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Rrëzimi i Qeverisë është objekt i punës sonë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje, sepse një parti serioze është gjithmonë e gatshme për zgjedhje.”
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është më e zëshmja kundër privatizimit të PTK’së në veçanti dhe procesit të privatizimit në përgjithësi, dështimi për ta bërë kuorumin është arsyeja e radhës pse Qeveria e Kosovës duhet të japë dorëheqje menjëherë.
“Kjo Qeveri nuk i ka votat as në popull e as në Kuvend, përkundër vjedhjes industriale të tyre, në 12 dhjetorin e vitit 2010. As ulëset e rezervuara të diskriminimit në Kuvend nuk po i mjaftojnë kësaj Qeverie”.
“Qeveria e Kosovës është Qeveri e pakicës në aq shumë kuptime të fjalës pakicë. Prandaj, kjo Qeveri është jodemokratike dhe joparlamentare. Ajo s’ka vend në Kuvend, ajo s’ka vend në Republikë, ajo duhet të shkojë”.
“U dëshmua që opozita i ka numrat që ta ndalë këtë qeverisje e ta rrëzojë këtë Qeveri. Porse asaj rregullisht i ka munguar vullneti. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve opozitarë dhe subjekteve opozitare që ta vazhdojmë rezistencën kundër shitjes së PTK’së, kundër kësaj Qeverie të shitjes, kundër kësaj Qeverie të pakicës, drejt rrëzimit të saj”.