Shëndetësia në Kosovë jopremtuese – rreth 900 pacientë morën ndihmë nga FSSh për trajtim jashtë vendit më 2025, mbi 200 persona me urgjencë
Ndër sfidat më të mëdha me të cilat shpesh herë njerëzit përballen, padyshim se janë sëmundjet e sidomos ato për të cilat është shumë e vështirë të gjendet shërim, e nëse ekziston një i tillë, kushton shumë. Në Republikën e Kosovës, ku shumë problematike janë pagat e ulëta e shpenzimet e larta jetësore, sëmundje të…
Lajme
Ndër sfidat më të mëdha me të cilat shpesh herë njerëzit përballen, padyshim se janë sëmundjet e sidomos ato për të cilat është shumë e vështirë të gjendet shërim, e nëse ekziston një i tillë, kushton shumë.
Në Republikën e Kosovës, ku shumë problematike janë pagat e ulëta e shpenzimet e larta jetësore, sëmundje të tilla vetëm se vështirësojnë shumë më shumë jetën e tyre, duke i futur në borxhe e kredi të mëdha, me qëllim trajtimin e tyre apo të familjarëve të tyre që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Këta qytetarë shpesh përkrahen edhe nga shteti, saktësisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Pas diagnostikimit të sëmundjeve, në shumë raste ndërhyrjet që duhet bërë apo terapitë që duhet marrë- në vendin tonë janë thuajse të pamundura. Mungesa e terapive, ua bën edhe më të patrajtuar secilin problem shëndetësorë.
Gjatë vitit 2025, apo saktësisht nga 3 janari i këtij viti deri më 27 nëntor të këtij viti, për ndihmë nga ky Fond i Sigurimeve Shëndetësore kanë aplikuar plotë 886 të diagnostikuar me sëmundje të rënda që kërkojnë trajtim jashtë vendit.
Nga këto raste, 617 prej tyre ishin raste të rregullta, ndërsa 269 ishin raste urgjente, shkruan lajmi.net.
Por, sa prej tyre kanë fituar përkrahje financiare nga FSSh?
“Numri i aplikimeve që kanë Vendimmarrje nga Bordi për TMJISHP për periudhën e lartcekur është 686. Numri tjetër i aplikimeve përbejnë aplikimet që janë në proces të kompletimit të dosjes nga aplikuesi”, kanë thënë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Nga ky Fond, kanë dhënë një lajm të mirë për lajmi.net.
Ata kanë thënë se duke bërë një krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2024, ka ulje të lehtë të numrit të aplikimeve gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ndihmë për trajtim jashtë vendit kanë përfituar pacientë që vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të komplikuara, të cilat kërkojnë trajtim shumë të specializuar dhe nuk mund të menaxhohen brenda sistemit shëndetësor të Kosovës.
Këto sëmundje përfshijnë probleme serioze të enëve të gjakut në tru, sëmundje të zemrës dhe veshkave, kancer të gjakut, dëmtime të rënda të shikimit dhe dëgjimit, si dhe gjendje pas ndërhyrjeve të mëdha kirurgjikale. Financimi i këtyre trajtimeve synon të sigurojë kujdes jetik për pacientët në raste kur trajtimi vendor nuk është i mundur.
Disa nga sëmundjet për të cilat, qytetarët kanë pranuar trajtim jashtë vendit:
-
I60.9 – Aneurizëm sakulare e arteries cerebrale anteriore (ACA)
(Zgjerim i rrezikshëm i një ene gjaku në tru, që mund të shpërthejë dhe të shkaktojë gjakderdhje në tru) -
C73.9 – Gjendje pas tiroidektomisë totale
(Pacienti e ka hequr plotësisht gjëndrën tiroide për shkak të sëmundjes, zakonisht tumor apo çrregullim të rëndë hormonal) -
I60.9 – Aneurizëm sakulare arteriosklerotike e arteries bazilare
(Zgjerim i enës kryesore të gjakut në tru, i shkaktuar nga ngurtësimi i arterieve) -
I20.9 – Anginë pektorale
(Dhimbje në gjoks për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm të zemrës me gjak) -
N05.2 – Glomerulonefrit jo-specifik
(Sëmundje e veshkave që dëmton filtrimin e gjakut dhe mund të çojë në dështim të veshkave) -
C92.0 – Leukemi mieloide akute, gjendje pas transplantimit alogjen
(Kancer agresiv i gjakut; pacienti ka kaluar transplantim të palcës së eshtrave) -
H18.4 / Z96 – Keratopati, gjendje pas aniridisë
(Dëmtim serioz i kornesë së syrit, i lidhur me mungesën e irisit, që ndikon rëndë në shikim) -
C73 – Gjendje pas tiroidektomisë totale
(Gjendje pas heqjes së plotë të gjëndrës tiroide) -
M24.5 – Gjendje pas frakturës dhe osteosintezës
(Pasojë e thyerjes së kockës që është operuar dhe fiksuar me pllaka ose vida metalike) -
H90 – Gjendje pas implantimit bilateral koklear
(Pacienti ka marrë implante dëgjimi në të dy veshët për shkak të humbjes së rëndë të dëgjimit)
Megjithëse Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka siguruar trajtim jashtë vendit për qytetarët me sëmundje të rënda, ky mekanizëm tregon edhe kufizimet serioze të sistemit shëndetësor vendor.
Numri i rasteve që duhet të trajtohen jashtë vendit pasqyron mungesën e kapaciteteve dhe specialistëve të nevojshëm brenda vendit, duke treguar nevojën urgjente për investime në infrastrukturën shëndetësore dhe forcimin e shërbimeve lokale, në mënyrë që qytetarët të mos varen nga trajtimet jashtë vendit për kujdes jetik.
Sistemi shëndetësorë në Kosovë vazhdon të jetë shumë problematik e sfidues për qytetarët.
Në thuajse secilin spital të vendit, qytetarët detyrohen të presin me orë, e ditë të tëra për një termin.
Pas kësaj, të njëjtit rrallë herë mund të marrin trajtimin që kërkojnë, pasi në të shumtën e rasteve o mungojnë terapitë- o qytetari detyrohet t’i sigurojë vetë ato e në mungesë të fondeve, mbetet pa marrë fare trajtimin.
Problem ende janë edhe infrastrukturat e dëmtuara nëpër spitalet tona, e ku në shumë raste pacientët detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të vogël me dy shtretër e pa asnjë kusht të plotësuar aty.
Kësisoj edhe brenda këtij viti investimi që është bërë si në QKUK, ashtu edhe në spitalet e qyteteve të tjera është krejtësisht i pakët, duke i detyruar kështu qytetarët që të kërkojnë trajtim jashtë vendit./Lajmi.net/
Tabela me sëmundjet që kanë marrë trajtim jashtë vendit gjatë vitit 2025