Shefja e UNMIK-ut në Kosovë reagon për kontrollin ndaj sallës sportive në Leposaviq

Shefja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe veprimet e sotme në objektin sportiv komunal në Leposaviq. Sipas saj, hapësirat publike janë jetësore për zhvillimin e të rinjve dhe të komunitetit. “PSSP Ziadeh po ndjek nga afër zhvillimet e fundit…

Lajme

27/05/2025 22:41

Shefja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe veprimet e sotme në objektin sportiv komunal në Leposaviq.

Sipas saj, hapësirat publike janë jetësore për zhvillimin e të rinjve dhe të komunitetit.

“PSSP Ziadeh po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe veprimet e sotme në objektin sportiv komunal në Leposavić/Leposaviq. Hapësirat publike janë jetësore për zhvillimin e të rinjve dhe të komunitetit”, ka shkruar misioni i UNMIK në platformën “X”.

Në reagim thuhet se qasja në sport është e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut, përfshirë arsimin, dhe duhet të mbrohet për të gjitha komunitetet.

“PSSP-ja i nxit të gjithë të interesuarit të veprojnë me përmbajtje dhe të angazhohen në konsultime kuptimplote me komunitetin lokal – për të shmangur ndërprerjen e qasjes në shërbime dhe për të ndërtuar besim”, thuhet në reagim.

Ajo përsërit thirrjen e saj që të gjitha çështjet e pazgjidhura të adresohen brenda kornizës së dialogut.

Autoritetet lokale në Leposaviq, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë marrë kontrollin mbi sallën sportive në këtë qytet, e cila funksiononte sipas sistemit të Serbisë.

Nënkryetarja e komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se qëllimi i sallës sportive nuk do të ndryshojë dhe se të gjithë do të mund ta përdorin atë për të njëjtat qëllime si më parë.

Kjo është një nga një sërë aksionet e ndërmarra për marrjen nën kontroll të objekteve apo për mbylljen e institucioneve të Serbisë në qytetet e Kosovës, të cilat Prishtina i konsideron si të paligjshme dhe paralele, shkruan REL.

Më herët gjatë majit, edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut morën kontrollin mbi sallën sportive të qytetit, pas së cilës u njoftua se salla do të mbetet funksionale dhe se ata që duan ta përdorin duhet t’u drejtohen personave përgjegjës për caktimin e terminëve.