Shefi i CIA-s arrin në Presidencë, takohet me Vjosa Osmanin

Kreu i Inteligjencës amerikane, saktësisht shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës ( CIA), William Burns,  ka arritur tashmë në Prishtinë. Burns është parë duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës. Ai pritet që të takohet me presidenten Vjosa Osmani. Vizita e tij në Kosovë vie pasi zyrtari i lartë amerikan qëndroi në vendet…

Lajme

22/08/2024 15:25

Kreu i Inteligjencës amerikane, saktësisht shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës ( CIA), William Burns,  ka arritur tashmë në Prishtinë.

Burns është parë duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës.

Ai pritet që të takohet me presidenten Vjosa Osmani.

Vizita e tij në Kosovë vie pasi zyrtari i lartë amerikan qëndroi në vendet e rajonit si Bosnje dhe Serbi.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.

Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.