SHBA përgjoi 35 liderë

Thuhet se 35 udhëheqës botërorë, në mesin e tyre duket edhe Merkel, kanë qenë në shënjestër të përgjimeve amerikane. Informacioni i dalë nga Edward Snowden ka shkaktuar zemërim tek zyrtarët europianë.

Lajme

25/10/2013 11:25

Një raport i ri thotë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrjet telefonike të 35 udhëheqësve botërorë.

Raporti në gazetën britanike Guardian citon një dokument të vitit 2006, i cili është nxjerrë nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.

Raporti nuk përmend emrat e udhëheqësve që janë përgjuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara, raporton RFE.

Ai thotë se zyrtarët amerikanë i kanë dhënë kësaj agjencie mbi 200 numra telefoni për 35 udhëheqës, të cilët janë siguruar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit.

Zbulimi vjen në kohën kur në Gjermani ka shpërthyer zemërimi për shkak të dyshimeve se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrje telefonike të Kancelares Angela Merkel.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar se ka përgjuar telefonin e Merkelit, por ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen.

Zyrtarët amerikanë thonë se përgjimi i bërë nga Shtetet e Bashkuara është i nevojshëm për të penguar komplotet terroriste dhe është i ngjashëm me spiunazhin që kryhet nga shumë shtete.

Por, kritikët, duke u thirrur në dokumentet e zbuluara nga Snowden, thonë se agjencitë amerikane kanë shkuar përtej asaj që është e nevojshme për të luftuar ekstremistët.

Në një samit të Bashkimit Europian, Presidenti i Këshillit të BE’së, Herman Van Rompuy, ka thënë se udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës duan të negociojnë një “mirëkuptim” me Washingtonin, mbi punën e shërbimeve të inteligjencës.

“Krerët e shteteve dhe të qeverive kanë marrë parasysh planet e Francës dhe të Gjermanisë për të kërkuar bisedime dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, me qëllim të gjetjes së një mirëkuptimi në këtë fushë, para fundit të vitit. Ata kanë thënë se vendet e tjera të BE’së janë të mirëpritura për t’iu bashkuar kësaj nisme”, ka thënë Rompuy.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ka thënë se për shumë europianë, përgjimet e telefonatave apo të e-maileve janë të papranueshme, sepse ato ngrenë spektrin e regjimeve totalitare.

“Natyrisht se zbulimet e ditëve dhe muajve të fundit kanë tronditur privatësinë personale dhe sigurinë e të dhënave. Kjo është një çështje shumë serioze, sepse për ne europianët këto janë vlera themelore. Kjo është pikërisht arsyeja që na bën të këmbëngulim në miratimin e një legjislacioni të propozuar për mbrojtjen e të dhënave”, ka thënë Barroso.

Raportet thonë se disa politikanë europianë kanë bërë thirrje për pezullimin e bisedimeve me Washingtonin për marrëveshjen e tregtisë së lirisë midis BE’së dhe SHBA’së, për shkak të akuzave për spiunim.

Por, ato janë hedhur poshtë nga Kryeministri i Italisë, Enrico Letta, i cili ka thënë se nuk ka “asnjë lidhje” midis spiunimit dhe çështjeve tregtare.

Në një tjetër zhvillim, disa figura të filmit në Hollywood kanë ngritur zërin e tyre kundër aktiviteteve të mbikëqyrjes amerikane.

Personalitetet që përfshijnë regjisorin Oliver Stone, janë shfaqur në një video, në të cilin thonë se liritë e amerikanëve janë në rrezik për shkak të mbikëqyrjes së pakontrolluar të Qeverisë.