ShBA-ja pa ambasador në Kosovë, Ahmeti: Shkak ftohja e raporteve dhe sinjal për reflektim

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka tërhequr nominimin e Mark Brnovichit për ambasador të ri në Serbi, sipas një vendimi të publikuar në faqen e internetit të Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit amerikan. Arsyet për tërheqjen e emërimit të Mark Brnovichit nuk janë bërë të ditura. Vetë Brnovich…

Lajme

07/10/2025 19:27

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka tërhequr nominimin e Mark Brnovichit për ambasador të ri në Serbi, sipas një vendimi të publikuar në faqen e internetit të Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit amerikan.

Arsyet për tërheqjen e emërimit të Mark Brnovichit nuk janë bërë të ditura.

Vetë Brnovich ka akuzuar “deep state”-in për anulimin e tij.

Diplomati i karrierës, Amir Ahmeti, në një prononcim për Klankosova.tv, ka komentuar këtë zhvillim, duke e cilësuar vendimin si pozitiv, por pa ndikim në raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Ahmeti tha se në diplomaci, niveli i përfaqësimit me një shtet ka rëndësi të madhe dhe mungesa e emërimit të një ambasadori pasqyron ftohje të raporteve apo sinjal për reflektim.

Sipas tij, vonesa e emërimit të ambasadorit amerikan në Kosovë është e lidhur me ftohje të raporteve, duke shtuar se Kosova duhet të ndërtojë marrëdhëniet e saj me ShBA-në në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshme.

“Në diplomaci, niveli i përfaqësimit me një shtet ka rëndësi të madhe. Për këtë arsye, mungesa e emërimit të një Ambasadori nga shteti delegues në shtetin pritës, pasqyron interpretime të ndryshme. Më të njohurat në diplomaci janë: ftohje e raporteve, sinjal për reflektim, etj. Padyshim, vonesa e emërimit të ambasadorit amerikan në Kosovë është e lidhur me dy prej arsyeve që përmenda më lart”, tha Ahmeti për Klankosova.tv.

Ndërsa, për sa i përket tërheqjes së kandidaturës së Mark Brnovich si ambasador në Serbi, tha se pavarësisht kësaj, Kosova duhet të ndërtojë vetë raportet me vendet e tjera, në këtë rast me ShBA-në, “në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk guxojmë shpresat tona t’i varim në përkeqësimin e vendeve fqinje me ShBA, në këtë rast, të Serbisë”.

“Duhet të ndërtojmë raporte të bazuara në mirëbesim dhe interesa strategjike afatgjate, të cilat nuk ndryshojnë për të mirë ose për të keq, si rezultat të fqinjëve tanë por të cilat varen krejtësisht nga ne”, deklaroi diplomati Amir Ahmeti.

Çfarë shkroi Trump për Brnovich?

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump kishte nominuar në fund të marsit Mark Brnovichin, një republikan dhe ish-prokuror i përgjithshëm i Arizonës, për ambasador në Beograd.

Megjithatë, ditë më parë Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të ShBA-së publikoi vendimin për tërheqjen e nominimit, duke i dhënë fund procesit të emërimit.

Në momentin e shpalljes së kandidaturës, Trump e kishte vlerësuar Brnovichin si “patriot amerikan dhe bir të refugjatëve që ikën nga komunizmi”.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Mark Brnovich do të jetë ambasadori ynë i ardhshëm në Serbi. Si veteran i Gardës Kombëtare dhe ish-prokuror i Arizonës, Mark do të jetë një avokat i fortë për lirinë dhe gjithmonë do ta vendosë Amerikën në vend të parë. Urime Mark!”, kishte shkruar Trump.

 

Pas tërheqjes së nominimit, Mark Brnovich reagoi për median serbe në gjuhën angleze “Serbian Times”, ku falënderoi presidentin Trump për besimin, por u shpreh se nuk ishte i dëshiruar nga “deep state”.

Kosova pa ambasador të ShBA-së

Jeffrey Hovenier ishte ambasadori i fundit fuqiplotë amerikan në Kosovë, ndërsa mandatin e përfundoi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe u pensionua.

Aktualisht, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë është Anu Prattipati, e cila para detyrës në Kosovë, ishte këshilltare për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën e ShBA-së në Hagë.