SHBA-ja do t’ia ndërpresë ndihmën prej 4 miliardë dollarësh Izraelit në fund të vitit, Trump: Ata nuk kanë nevojë për të
Presidenti Donald Trump tha të martën se Shtetet e Bashkuara do ta ndërpresin ndihmën prej 4 miliardë dollarësh për Izraelin në fund të vitit, sepse “ata nuk kanë nevojë për të”, shkruan CNN. Trumpi, duke folur për Fox News në mëngjesin e ditës së zgjedhjeve, sugjeroi se ndihma amerikane për Izraelin është shndërruar në një…
Bota
Presidenti Donald Trump tha të martën se Shtetet e Bashkuara do ta ndërpresin ndihmën prej 4 miliardë dollarësh për Izraelin në fund të vitit, sepse “ata nuk kanë nevojë për të”, shkruan CNN.
Trumpi, duke folur për Fox News në mëngjesin e ditës së zgjedhjeve, sugjeroi se ndihma amerikane për Izraelin është shndërruar në një temë të fuqishme politike për demokratët dhe vuri në pikëpyetje pse republikanët duhet të “përballojnë sulmet” nga kandidatë si kandidati demokrat për Senatin në Michigan, Abdul El-Sayed, kur Izraeli nuk ka nevojë për ndihmë.
“Është një argument i keq politik, sepse kur thua: ‘Pse nuk u japim të gjithëve nga 4 miliardë dollarë?’ Izraeli është partneri ynë numër një; ne u japim më shumë se kujtdo tjetër dhe ata nuk kanë më nevojë për të”, tha ai.
SHBA-ja i jep Izraelit 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi 10-vjeçar, i cili nisi në vitin 2018. Ai pritet të përfundojë në vitin 2028. Trumpi duket se po sugjeron se do ta ndërpresë atë në fund të këtij viti.
Trumpi tha se, nëse Izraeli do të kishte nevojë për paratë, ai do të vazhdonte ta jepte ndihmën, por shtoi se kishte “arritur një marrëveshje” me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Telefonata e fundit e raportuar mes dy liderëve ishte të shtunën. Nuk dihet nëse kanë biseduar që atëherë. CNN-i ka kontaktuar zyrën e Netanyahut dhe Shtëpinë e Bardhë.
Netanyahu ka folur hapur për nevojën që ndihma ushtarake amerikane për Izraelin të përfundojë, por asnjëherë në një afat kaq të shkurtër kohor. Në maj, SHBA-ja dhe Izraeli nisën bisedimet zyrtare për një marrëveshje të re që do ta zëvendësonte memorandumin e mirëkuptimit, megjithëse nuk është e qartë nëse ekziston ndonjë kornizë e dakorduar.
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve të javës së kaluar, Netanyahu i tha një kanali televiziv izraelit se përfundimi i ndihmës amerikane ishte i pashmangshëm. “Nëse mendoni se do të vazhdojmë të marrim atë që sigurova dy herë, dhjetëra miliarda dollarë ndihmë amerikane për buxhetin e mbrojtjes, mësohuni me faktin se nuk do t’i marrim më”, tha ai.
Në mars të vitit 2025, administrata Trump autorizoi gjithashtu një paketë ndihme ushtarake prej 4 miliardë dollarësh për Izraelin, pas dështimit të armëpushimit të dytë në Gaza.
I pyetur në Fox nëse po ndërpriste 4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake apo 4 miliardë dollarë në formë çeku, ai tha: “Si të dëshironi ta përkufizoni”.
“Mund ta konsideroni shkëmbim mallrash. Mund ta konsideroni ndihmë ushtarake ose para të gatshme. Ajo që u japim – 4 miliardë dollarë në pajisje dhe para – dhe ata nuk kanë nevojë për të. Dhe Bibi Netanyahu m’u drejtua mua, dhe kemi biseduar për këtë prej disa vitesh, sepse është shumë para”, tha Trumpi.
Ai tha se Izraeli “mund të blejë çfarëdo që dëshiron”.