SHBA dhe Gjermania kërkojnë nga partitë politike që të krijojnë kuourum në Kryesinë e Kuvendit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë një reagim me shkrim pas dështimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit për të caktuar seancat e radhës.

Lajme

02/12/2021 14:11

Rohde, përmes një postimi në ‘Twitter’, ka kërkuar që partitë politike të kenë qasje kontruktive për të krijuar kuorumin për mbledhjen e kryesisë, shkruan lajmi.net.

“Është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjithë deputetët t’i përmbahen përgjegjësisë së tyre demokratike. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të gjitha partitë politike për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe arritjen e kuorumit së shpejti”, ka shkruar ai.

Këtë iniciativë e ka mbështetur edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, duke pëlqyer postimin e ambasadorit gjerman në ‘Twitter’.

Përgjatë ditës së martë opozita ka kërkuar qasje më konstruktive në Kryesinë e Kuvendit, për shkak të dështimit të mbajtjes së mbledhjes si pasojë e mungesës së kuorumit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për medie tha se mazhoranca ka hyrë në një krizë e cila nuk është e lehtë.

Ai kërkoi edhe zgjedhje të reja për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend dhe kthimin e funksionaliteti të Kuvendit.

Kritik u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili kërkoi urgjentisht të hartohet rregullorja e re dhe përgjegjësia për caktimin e seancës t’i atribuohet shefave të grupeve parlamentare.

“Rregulloren e punës së Kuvendit duhet ta ndryshojmë me urgjencë. Përgjegjësia duhet t’i takojë shefave të grupeve parlamentare”, shtoi ai. /Lajmi.net/