Shatri Avdullah Hotit: Kredia në FMN, e dëmshme për vendin
Në korrik të vitit 2015 Kosova ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare financimi me FMN-në në vlerën e 184 milionë eurove. Kjo marrëveshje përfundon në verën e këtij viti. E ministri në largim në Ministrinë e Financave, Avdullah Hoti, thotë se do të marrë edhe një kredi nga ky institucion financiar ndërkombëtar.
Lajme
Por, pavarësisht kredisë më FMN-në vendi është i zhytur edhe në shumë kredi të tjera ndërkombëtare. Për njohësit e çështjeve ekonomike, Kosova nuk është e përgatitur që të marrë kredi ndërkombëtare, ngase, sipas tyre, vendi nuk do të mundë që t’i paguajë ato.
Ish-ministri i Financave dhe njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Haki Shatri, në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se Kosova, kreditë e huaja po i shfrytëzon për gjëra joproduktive, andaj, sipas tij, marrja e një kredie të huaj do të ishte e dëmshme për vendin. Tutje, ai është shprehur se Kosova duhet t’i shfrytëzojë burimet dhe resurset e saja të brendshme.
“…fillimisht duhet të shihet se për çfarë është e destinuar ajo kredi. Nëse destinohet për gjëra shpenzuese, por ne buxhetin e konsumojmë për gjëra joproduktive, e marrim kredi nga jashtë është e dëmshme. Unë mendoj se Kosova ka hapësirë që më shumë t’i shpenzojë burimet e saj. Fillimisht Kosova duhet t’i konsumojë këto mundësi, e pastaj nëse kem projekte me mundësi nacionale, atëherë të shohim që të marrim kredi të reja. Nuk duhet të krijojmë ngarkesë me borxhe”, ka thënë Shatri.
Ndërkohë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë kritika edhe sa i përket menaxhimit të kredive të huaja aktuale në Kosovë nga institucionet përkatëse. Ai ka shpjeguar se për vitin 2015 janë nënshkruar kredi për 115 milionë euro, pastaj kontratat janë reduktuar në 40 milionë, e krejt në fund janë realizuar vetëm 6 milionë euro për kontrata. Shatri thotë se vendi po futet në kredi të huaja pa investime e projekte paraprake.
“Unë nuk e di se për çfarë projektesh investuese ka folur Hoti dhe ka synuar që të marrë hua jashtë, ai veç ka thanë të marrim një kredi që të na qëllojë qaty. Mendoj se Kosova ka aranzhuar shumë kredi. Për vitin 2015 janë nënshkru për 115 milionë euro, kredi të jashtme (borxhe të jashtme), pastaj janë reduktuar kontratat në 40 milionë, e janë realizuar vetëm 6 milionë”, ka shpjeguar tutje Shatri.
Shatri thotë se Qeveria ka mashtruar qytetarët sa i përket buxhetit vjetor. Kjo ngase sipas tij, Qeveria “Mustafa” ka deklaruar se ka proklamuar buxhet për këtë vit në vlerën e 2 miliardë eurove, ndërkaq, sipas tij, buxheti aktual është 1 miliard e 700 milionë euro. Sipas tij, Qeveria do të duhet të hyjë në borxhe të jashtme edhe për 300 milionë euro për ta plotësuar normën e planifikimeve fillestare buxhetore.
“Buxheti i këtij viti, që është proklamuar 2 miliardë, ai është mashtrim ngase nuk është 2 miliardë, buxheti është 1 miliard e 700 milionë. Shpenzimet i kanë paraparë 2 miliardë, që nënkupton të hyrat 1 miliard e 700 milionë pra është projektua buxhet deficitar, e ai buxhet duhet të mbulohet me të hyra shtesë, që janë huat e jashtme 300 milionë”, ka shpjeguar njohësi i çështjeve ekonomike në vend.
E ndërkohë ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, në një intervistë dhënë gjatë ditës së mërkurë për Reuters ka deklaruar se Kosovës do t’i duhet të negociojë një marrëveshje të re m Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të kontrolluar kostot e huamarrjes, pasi kredia aktuale përfundon këtë verë.
“FMN-ja na jep kredibilitet. Kosova është një vend i ri, ne duhet të financojmë shumë projekte infrastrukturore”, ka thënë Hoti.