Shala: Një prokuror ka mesatarisht 519 raste në punë, Prokuroritë përballen me ngarkesë të lartë me lëndë

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Insitutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se prokuroritë themelore në vend kanë një ngarkesë të lartë sa i përket numrit të lëndëve në raport me numrin e prokurorëve. Gjatë publikimit të raporteve që tregojnë për situatën në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm- Divizioni Penal,…

Lajme

06/05/2026 15:20

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Insitutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se prokuroritë themelore në vend kanë një ngarkesë të lartë sa i përket numrit të lëndëve në raport me numrin e prokurorëve.

Gjatë publikimit të raporteve që tregojnë për situatën në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm- Divizioni Penal, Shala tha se raportet janë përpiluar duke u bazuar në analizë direkte të aktakuzave dhe aktgjykimeve, edhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha gjykatat dhe prokuroritë.

“Gjetjet tregojnë se sa i përket departamenteve të përgjithshme në nivel vendi, ka një bilanc negativ se prokuroritë nuk kanë arritur që të zgjidhin lëndë aq sa kanë pranuar- përjashtim në këtë rast bën vetëm Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka arritur që të zgjidh 192 raste më shumë sesa që ka pranuar”, tha Shala, raporton Betimi për Drejtësi.

Shala tha se kanë analizuar edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me ngarkesën e prokurorive në raporte me numrin e prokurorëve.

“Gjetjet tregojnë se ngarkesa është relativisht e lartë për shkak se mesatarssht në nivel vendi, një prokuror ka mesatarisht 519 raste në punë. Mirëpo, edhe në raport me ngarkesën me numer të lëndëve ka një diskrepancë të madhe dhe dallime në mes prokurorive”, u shpreh Shala.

Ai tha se Gjakova dhe Mitrovica kanë numrin më të madh të lëndëve në raport me prokurorë, ndërsa numrin më të vogël e ka Prizreni.

Shala tha se këto mosbarazi duhet të trajtohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës  (KPK) në kuptim të gjetjes së ekuilibrit në mes të numrit të lëndëve në punë dhe numrit të prokurorëve.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën organizoi tryezë diskutimi, ku publikoi dy raporte të cilat trajtojnë rastet në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda dhe të Departamentit të Përgjithshëm- Divizioni Penal.