Osman Selmani në paraburgim në Beograd, Kosova ende pa qëndrim zyrtar
Autoritetet e Serbisë kanë arrestuar shtetasin e Kosovës, Osman Selmani, në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshime për përfshirje në krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë më 1998–1999. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndaj Selmanit, i lindur në vitin 1953, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit…
Lajme
Autoritetet e Serbisë kanë arrestuar shtetasin e Kosovës, Osman Selmani, në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshime për përfshirje në krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë më 1998–1999.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndaj Selmanit, i lindur në vitin 1953, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, transmeton lajmi.net.
Në njoftimin e MPB-së serbe thuhet se ekzistojnë dyshime se më 14 qershor 1999, në vendin Sofali të Prishtinës, “në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”.
Megjithatë, në të njëjtin njoftim nuk jepen detaje të qarta nëse i dyshuari ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pala serbe nuk ka publikuar prova të tjera publike mbi rastin.
Familjarët e Osman Selmanit kanë konfirmuar arrestimin dhe kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara.
Djali i tij, Arben Selmani, në një deklarim për media ka thënë se familja nuk ka qenë fare në Kosovë në periudhën kur pretendohet se është kryer vepra penale.
“Nuk na kanë dhënë asnjë informatë lidhur me arrestimin. E kanë çuar në Leskovc, atje i kanë thënë se nuk ka departament të këtij krimi dhe duhet me e dërgu në Beograd. Prindi nuk ka pasur asgjë të bëjë me pretendimet e tyre dhe deri sot nuk kemi ditur asgjë lidhur me gjendjen e tij apo se ku ndodhet”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se babai i tij ndodhet në burgun qendror të Beogradit.
“Babai gjendet në burgun qendror të Beogradit me pretendimet për një vrasje që ka ndodhur në Sofali më 1999. Në atë periudhë babai bashkë me familjen nuk kemi qenë në Kosovë; nga 25 maji deri më 25 qershor kemi qenë në Maqedoni”, është shprehur Selmani.
Edhe avokati i tij, Arianit Koci, ka deklaruar se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet.
“Osman Selmani është 74-vjeçar i Sofalisë, është një burrë shumë i mirë, patriot. Por për çka e kanë arrestuar, lidhje nuk ka… Jam në kontakt me familjarët e tij. Nuk ka asnjë fije dyshimi për veprën për të cilën dyshohet ai në Serbi”, ka thënë Koci në emisionin “DPT te Fidani”.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar duke e dënuar arrestimin dhe duke mohuar çdo lidhje të Selmanit me UÇK-në.
Në reagimin e saj thuhet:
“Regjistrat tanë zyrtarë janë të qartë: Osman Selmani nuk figuron në bazën e të dhënave të OVL-UÇK-së si veteran i UÇK-së. Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër.”
OVL-UÇK ka kërkuar gjithashtu nga institucionet e Kosovës që të reagojnë dhe të ofrojnë mbrojtje konsullore dhe ligjore për qytetarët e Kosovës që përballen me raste të tilla.
“Kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesë. Çdo qytetar që u nënshtrohet këtyre procedurave ligjore të motivuara politikisht meriton mbrojtje të plotë konsullore dhe ligjore”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, familjarët dhe avokati insistojnë se Selmani nuk ka pasur asnjë përfshirje në ngjarjet e luftës dhe e konsiderojnë rastin si të motivuar politikisht.
Rasti është bërë publik më 3 korrik 2026, ndërsa arrestimi dyshohet se ka ndodhur më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, teksa Selmani po kthehej nga vendlindja e tij.
Deri më 4 korrik 2026, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë dalë ende me ndonjë reagim zyrtar lidhur me rastin. MPJD udhëhiqet nga ministri në detyrë dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca.
Rasti pritet të vazhdojë në procedurë gjyqësore në Serbi, ndërsa Selmani po mbahet në paraburgim në Beograd./lajmi.net/