Sfidohet politika e Presidentit Trump ndaj Iranit

Irani pretendon se ka shënuar fitore morale në përballjen me Shtetet e Bashkuara lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Bota

15/07/2019 21:45

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të dielën se Uashingtoni nuk arriti të fitonte mbështetje ndërkombëtare për sanksione më të ashpra ndaj Teheranit për rritjen e prodhimit të uraniumit të pasuruar.

Ndërkohë, mediat britanike kanë botuar një tjetër kabllogram të ish-ambasadorit britanik në Shtetet e Bashkuara, ku ai thotë se Presidenti amerikan Donald Trump ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare me Iranin vetëm e vetëm për të fyer paraardhësin e tij Barak Obama.

Presidenti iranian Hassan Rouhani i tha një turme të gëzuar në qytetin verior të Shirvanit, të dielën se presioni i Shteteve të Bashkuara ndaj Teheranit ka dështuar.

“Gjatë 14 muajve të fundit, çfarëdo rruge që amerikanët ndoqën, sociale, politike, apo ligjore, ato çuan në humbje”.

Administrata Trump u ka bërë thirrje aleatëve që të mbështesin sanksionet shtesë kundër Teheranit pasi zyrtarët iranianë javën e kaluar njoftuan se kishin tejkaluar kufijtë e rezervave bërthamore të vendit të parashikuara në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015.

Administrata e Presidentit Trump e braktisi këtë marrëveshje vitin e kaluar dhe vendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit.Teherani thotë se programi i pasurimit të uraniumit nuk shkel ligjet ndërkombëtare.

“Pasurimi i uraniumit nuk është i ndaluar në bazë të Marrëveshjes së Mospërhapjes së armëve bërthamore. Kjo është e drejta e çdo anëtari të Traktatit të Mospërhapjes së armëve bërthamore dhe është e drejtë e Iranit. Ajo që po bëjmë ne është transparente, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, dhe inspektorët e tyre janë atje. Çdo veprimtari është duke u monitoruar. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha Kazem Gharib Abadi, i dërguari i Iranit në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Por, në përgjigje të sanksioneve paralizuese, Irani gjithashtu po përpiqet të bllokojë kalimin e cisternave të naftës përmes ujrave ndërkombëtare në Gjirin Persik. Javën e kaluar, tre anije iraniane u përpoqën të pengonin një anije britanike të transportit të naftës, por hoqën dorë pasi një anije tjetër britanike u hodh në mbrojtje të anijes cisternë.

“Ne po monitorojmë vazhdimisht sigurinë, dhe po vlerësojmë llojin e sigurisë për të cilin ne kemi nevojë për anijet britanike”, tha Jeremy Hunt, Sekretar i Jashtëm i Britanisë.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se po shqyrtojnë mundësinë epërcjelljes ushtarake për anijet cisternë që kalojnë nëpër këtë zonë. Në një shfaqje force, Pentagoni të dielën publikoi pamjet e operacioneve të furnizimit për anijen luftarake Harpers Ferry, e cila së fundmi ui bashkua forcave amerikane në rajonin e Gjirit.

Tesnionet u shtuan edhe më tej të dielën pasi një media britanikepublikoi përmbajtjen e një kabllogrami që ambasadori britanik në Uashington Kim Darroch kishte dërguar në Londër, ku thoshte se Presidenti Trump e braktisi marrëveshjen bërthamore vetëm e vetëm për të fyer ish-Presidentin Barak Obama.

Zoti Darroch dha dorëheqjen javën e kaluar pas publikimit nga mediat të kabllogrameve diplomatike, në të cilat ai e përshkruante administratën e Presidentit Trump si të paaftë dhe jofunksionale. Në kabllogramet e sapo publikuara, ai e quante tërheqjen e e Presidentit Trump nga marrëveshja bërthamore me Iranin “vandalizëm diplomatik”. /VoA