Sfidat e Vitit 2014

Analisti Shkelzen Maliqi flet për sfidat kryesore të vitit 2014. Kryesorja, sipas tij, do të jetë realizimi i marrëveshjes me Serbinë, brenda kornizave të vijave të kuqe. Ai ndan me ne edhe befasitë e vitit 2013 dhe parashikimet e tij për zgjedhjet nacionale.

Lajme

01/01/2014 12:09

Analisti i njohur, Shkelzen Maliqi, thotë në një intervistë për lajmi.net se sfida kryesore në fillim të vitit 2014 do të jetë realizimi i marrëveshjes me Serbinë, brenda kornizave të vijave të kuqe të kompromisit bazë. 

Ai thotë se nuk duhet të ketë më lëshime ndaj serbëve në Veri, që duan të legalizojnë ndarjen e Kosovës, madje edhe me çmimin e ngrirjes së dialogut.

Për këtë, Maliqi thotë se duhet të arrihet konsensusi mbipartiak.

Sfida tjetër, sipas tij, është zhvillimi ekonomik.

“Kryeministri Thaçi është treguar si manipulues dhe menaxhues i mirë i dialogut dhe i krizave të ndryshme që e mbajnë në pushtet edhe falë opozitës së dobët dhe të çorientuar, por jo edhe si drejtues i ekonomisë dhe administratës që avancon sundimin e ligjit”.

Analisti Shkelzen Maliqi në këtë intervistë për lajmi.net flet edhe për befasitë e vitit 2013, humbjen e Isa Mustafës dhe fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë dhe rotacionin e pushtetit në disa komuna.

Ai vlerëson edhe emancipimin e votuesit kosovar dhe ndan me ne parashikimet e tij për zgjedhjet nacionale të këtij viti.

Cilat kanë qenë çështjet kryesore politike në vitin 2013? Çfarë do të veçonit? 

Shkëlzen Maliqi: Çështja absolutisht kryesore ka qenë marrëveshja e prillit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo ngjarje është interpretuar në mënyra të ndryshme. Ka pasur skepticizëm dhe kritika që sot duken si të qëlluara dhe të arsyeshme, sepse kihet përshtypja se vetëm Serbia ka përfituar nga marrëveshja, kurse BE’ja nuk e ka shpërblyer Kosovën në mënyrë të barasvlershme.

Edhe pse është e vërtetë se Brukseli në këtë fazë më shumë i dha Beogradit se Prishtinës, unë jam ende i bindur se në vetë këtë proces nuk janë kaluar vijat e kuqe që do t’i dëmtonin pandreqshëm interesat dhe objektivat e Kosovës.

Procesi vazhdon, ndërsa në fazat e ardhshme do të duhej të kishte – dhe do të ketë – favorizime balancuese në dobi të Kosovës.

Një proces tjetër që ka shënuar vitin është edhe ai i zgjedhjeve lokale të nëntorit.

Pjesëmarrja e serbëve, edhe pse në dukje kërcënuese, shënon integrimin e Veriut në shtetin e Kosovës.

Kemi pasur edhe rezultate befasuese në shumicën e komunave me shumicë shqiptare, që paralajmëron lëvizje tektonike të elektoratit i cili kërkon ndryshime të brendshme.

Kur jemi te zgjedhjet lokale, a mendoni se një proces i tillë, i cili u vlerësua si më i miri në Kosovën e pasluftës, do të përsëritet edhe në zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për pjesën e dytë të 2014? Me fjalë tjera, a ishin zgjedhjet e vitit 2013 një rastësi, apo shenjë e emancipimit politik të Kosovës, i cili kësisoj do të vazhdojë edhe në të ardhmen? 

Shkëlzen Maliqi: Nuk është rastësi, por simptomë e emancipimit të një pjese të elektoratit dhe të akumulimit të pakënaqësive të votuesve të partive të ndryshme, që u bashkuan për t’i ndëshkuar kryetarët e komunave.

Kjo simptomë besoj se do të ndikojë edhe në zgjedhjet parlamentare.

Pakënaqësia që është shfaqur ndaj pushtetit lokal në shumicën e komunave, ndoshta edhe nuk do të vazhdojë në mënyrë lineare, që p.sh., LDK’ja, e cila ka shënuar rritje, të rritet edhe më shumë duke e kaluar PDK’në, e cila pas disidencës së Limajt dhe Krasniqit ka shënuar rënie të elektoratit.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale kanë goditur të gjitha partitë, duke treguar ku i kanë dobësitë. Kështu, LDK’ja është rritur, por e ka humbur Prishtinën. Lëvizja Vetëvendosje e ka fituar Prishtinën, por partia në tërësi është ndëshkuar në komunat tjera.

Është ndëshkuar edhe AAK’ja, duke i humbur disa komuna, edhe pse ka rritje relative të votës.

PDK’ja ka mbetur partia më e madhe, por nuk mund t’i injorojë më disidencat dhe rrjedhjen e elektoratit, si dhe dështimin e strategjisë gjysmake të “prurjeve” dhe rinovimeve.

Te AKR’ja sukseset në Gjakovë dhe Mitrovicë janë më shumë meritë e individëve që kandiduan në këto komuna, dhe jo se AKR’ja si parti është subjekt i stabilizuar. Në zgjedhjet parlamentare nuk është e sigurt se kjo parti do ta kalojë pragun prej 5%.

Sa kanë qenë befasuese për ju fitoret e Shpend Ahmetit, Mimoza Kusarit, Agim Bahtirit, Gazmend Muhaxherit…?Sipas jush, deri në ç’masë do të mund t’i përmbushin premtimet dhe pritjet që ka elektorati ndaj tyre? 

Shkëlzen Maliqi: Unë i kam pasur në dorë rezultatet e dy hulumtimeve të elektoratit në disa komuna, që janë realizuar në shtator dhe tetor. Ato tregonin shkallën e lartë të pakënaqësisë me drejtimin e komunës së Prishtinës dhe me disa tjera.

Po kështu, në pyetjen “A jeni për rokadën e pushtetit?”, shumica jepnin përgjigje pozitive.

Por, befasia ka qenë që pakënaqësitë u bashkuan në shumicën e komunave pa u shpallur koalicionet zyrtare mes partive.

Në vitet e kaluara, në balotazhe nuk votonin shumica e votuesve të partive humbëse dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që të përmbysen avancimet bindëse, si p.sh., në rastin e Prishtinës, ku Isa Mustafa më 3 nëntor kishte nëntë mijë vota më shumë se Shpend Ahmeti, por më 1 dhjetor kundër tij votoi jo vetëm elektorati i VV’së, por edhe i AAK’së, PDK’së, dhe subjekteve tjera.

Në bazë të deklaratave të liderëve partiakë, krijohet përshtypja se ekziston një hendek i madh me mes PDK’së, LDK’së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK’së.Nëse këto qëndrime nuk ndryshojnë drastikisht, si ka mundësi të krijohen koalicionet, respektivisht Qeveria e ardhshme e Kosovës, pas zgjedhjeve të vitit 2014? 

Shkëlzen Maliqi: Një fenomen i ri që kemi tash, pas zgjedhjeve lokale, është se në nivelin e komunave do të kemi larmi koalicionesh – edhe aso deri dje të paimagjinueshme. Mendoj se në vjeshtë të vitit 2014, varësisht nga rezultatet do të mund të ndodhin edhe koalicionet që sot shpallen të pamundura.

 Cilat do të jenë sfidat kryesore të politikës kosovare në vitin 2014? 

Shkëlzen Maliqi: Sfida kryesore në fillim të vitit 2014 do të jetë realizimi i marrëveshjes me Serbinë, brenda kornizave të vijave të kuqe të kompromisit bazë. Nuk duhet të ketë më lëshime ndaj serbëve në Veri, që duan të legalizojnë ndarjen e Kosovës, madje edhe me çmimin e ngrirjes së dialogut. Për këtë duhet të arrihet konsensusi mbipartiak.

Sfida tjetër do të duhej të jetë reflektimi dhe ndërmarrja e masave që Qeveria e Kosovës të rifokusohet në politikat zhvillimore dhe përcaktimin e prioriteteve ekonomike.

Kryeministri Thaçi është treguar si manipulues dhe menaxhues i mirë i dialogut dhe i krizave të ndryshme që e mbajnë në pushtet edhe falë opozitës së dobët dhe të çorientuar, por jo edhe si drejtues i ekonomisë dhe administratës që avancon sundimin e ligjit.