Sfidat e Sorensen në dialog
Në shtator të vitit 2023 ishte hera e fundit kur në një tavolinë bashkë u ulën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Përpjekjet për një takim tjetër tani janë në supet e diplomatit danez, Peter Sorensen, i ngarkuar për t’i normalizuar raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tashmë…

Lajme
Në shtator të vitit 2023 ishte hera e fundit kur në një tavolinë bashkë u ulën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përpjekjet për një takim tjetër tani janë në supet e diplomatit danez, Peter Sorensen, i ngarkuar për t’i normalizuar raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tashmë ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin ku ka zhvilluar takime me krerët shtetëror e të dyja vendeve.
Analisti politik, Agon Maliqi, konsideron se gjatë këtij viti nuk mund të pritet shumë përparim në kuadër të dialogut për shkak të rrethanave aktuale politike në Kosovë si dhe në Serbi.
“Për Sorensen është fazë krejtësisht fillestare e matjes së pulsit, leximit të situatës dhe mësimit të akterëve. Konsideroj që në vitin e parë shumë pak mund të pritet që të ketë progres në dialog nga z.Sorensen. Përveç tjerash nuk kemi ende një qeveri në Gjermani dhe nuk e dimë se si do qaset administrata Trump këtij procesi”, thotë ai.
Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, Valon Murtezaj, nuk pret që në këtë fazë të ketë avancim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Murtezaj e nënvizon faktin se Kosova ende nuk e ka një qeveri të re dhe se Serbia është tronditur nga protestat
“Pas ardhjes së Sorensen i cili është njohës i mirë i Kosovës dhe i rajonit ndoshta dialogu mund të ketë një dinamikë tjetër. Por, duhet të kemi parasysh zhvillimet që priten në ndërkohë, siç është krijimi i qeverisë së re në Kosovë pastaj është edhe bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës në përgjithësi. Gjithashtu kemi një situatë në Serbi ku po zhvillohen protesta masive kundër Vuçiqit i cili është protagonist i dialogut nga pala serbe”, thotë Murtezaj.Përfaqësuesit shtetëror të Kosovës kanë pasur një sërë kërkesash për ndërmjetësin Sorsensen: nga heqja e masave ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës deri te dorëzimi i grupit që ka kryer sulm terrorist në Banjska.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Vuçiq ka kërkuar themelimin e Asociacionit për t’i vazhduar bisedimet në Bruksel.