Sfidat e shkollimit të personave të verbër
Të jetosh i verbër është sfidë. Por, kjo sfidë është edhe më e madhe kur pjesëtarëve të kësaj kategorie të shoqërisë u mungojnë kushtet elementare për jetë. Një nga kushtet e domosdoshme, konsiderohet edhe shkollimi sa më afër familjes, për shkak të nevojës që kanë këta persona për ndihmë dhe përkrahje.
Lajme
Fatlum Elshani, është 15 vjeç. Ai është pjesëtar i një familje pesë anëtarëshe.
Ai është i verbër dhe tash e tre vjet po ndjek mësimet në shkollën, “Xheladin Deda”, në Pejë, ndonëse jeton në rrethinë të Komunës së Klinës.
Kjo shkollë është burimore dhe ofron mësim për personat e verbër me pajisje të veçanta. Atij i duhet të jetojë në konviktin e kësaj shkolle, në mënyrë që të ketë mundësi të ndjekë mësimin.
“Shkollimi është një mundësi e mirë për mua, pasi nuk varem më pastaj nga askush. Shpresoj se edhe do të gjej punë në të ardhmen. Unë qe tri vjet vazhdoj shkollimin në këtë shkollë”, thekson Elshani.
Ai thotë se ka ndjekur mësimin edhe në shkollë të rregullt, por që dallimi është i madh, ngase këtu ofrohen kushte më të mira mësimi për personat e verbër. Aty mësohet edhe alfabeti Braj.
Alfabeti Braj përdoret nga të verbrit, dhe është aktualisht alfabet i pranuar në gjithë botën, i modifikuar dhe i përshtatur sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme. Ky sistem ua mundëson të verbërve shkrim-leximin dhe ua lehtëson komunikimin.
“Më herët kam qenë në shkollë të rregullt, por kushtet kanë qenë si për të gjithë fëmijët e tjerë. Këtu e kam mësuar alfabetin Braj. Nuk është lehtë por është mundësi e mirë”.
“Tash mendoj të punësohem diku. Mendoj se do të ishte mirë nëse do kisha mundësi. Këtu merren më shumë me neve sesa në shkollë të rregullt”, thotë Elshani.
Kryetari i Shoqatës të të Verbërve të Kosovës, Mexhit Foniqi thotë se institucionet e vendit duhet të krijojnë mekanizma adekuat që ta ndihmojnë komunitetin e të verbërve.
Sipas tij, në shkollat e rregullta mungojnë pajisjet e nevojshme për fëmijët e verbër. Kurse në shkollën burimore në Pejë, ofrohen kushte të mira, por aty, është e pamundur që t’i ndjekin mësimet fëmijët e të gjitha komunave.
“Një shkollë e tillë nuk është e mjaftueshme pasi që fëmijët synojnë të jenë afër familjes. Qendra burimore çfarë është në Pejë, ka numër të vogël të nxënësve, pasi prindërit po hezitojnë t’i dërgojnë ata në shkollë, ngase një fëmijë 6-vjeçar nuk mund të adaptohet në atë shkollë- konvikt”, thotë Foniqi.
“Ata duhet ta kenë shkollën sa më afër. Ne synojmë që fëmijët e verbër të përfshihen në shkolla të rëndomta. Ka raste që fëmijët ndjekin mësimin në shkolla të rregullta, por ato janë të pakta”, thekson tutje Foniqi.
Sipas tij, ndonëse Ministria e Arsimit ka premtuar që në shkolla do të ketë kushte të favorshme si alfabetin Braj, shkrim më të përshtatshëm apo me shkronja të zmadhuara, pastaj audio-mësim, ato nuk janë vënë në praktikë dhe nuk janë zbatuar.
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Lulavere Kadriu, udhëheqëse e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta për nivelin e arsimit parauniversitar, thotë se në shkolla të rregullta ndjekin mësimin rreth 1900 nxënës të verbër dhe me shikim të dobësuar.
“Mund të them se mbi 90 për qind e fëmijëve të verbër mësojnë në shkolla të rregullta. Ligji parasheh që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të mbajnë mësim në shkolla të rregullta. Vetëm ata me dëmtime të rënda shkojnë në shkollën burimore në Pejë”.
“Ne alfabetin Braj nuk e ofrojmë në shkolla, vetëm qendra burimore në Peje e ofron. Për ofrimin e këtyre shërbimeve janë edhe institucionet tjera përgjegjëse”, ka thënë Kadriu.
Derisa Xhavit Kastrati, drejtor në qendrën burimore për mësim dhe këshillim, ‘’Xheladin Deda’’ në Pejë, që ofron arsim parauniversitar për personat e verbër, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aty ofrohet mësim nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë.
“Këtu vijnë fëmijë edhe nga shtetet fqinje. Këtu ka qëndrim javor. Janë dy drejtime profesionale, drejtimi i shkencave juridike dhe teknologjia informative e komunikimit”.
“Shkollimi i personave të verbër bëhet përmes pajisjeve alternative. Qendra burimore punon në dy fusha me nxënës nga gjitha komunat dhe nxënës të integruar në shkolla të rregullta, ku janë 43 të tilla”, ka thënë Kastrati.
Ligji për personat e verbër është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit 2012. Por ai, sipas udhëheqësve të organizatave që mbrojnë të drejtat e personave të verbër, nuk po gjen zbatim.
Përveç 1900 nxënësve, sa besohet të jetë numri i personave të verbër apo me shikim të dobësuar, statistikat tregojnë se në Kosovë ka rreth 4 mijë persona të kësaj kategorie. /REL/