Sërish telashe në Prishtinë, punëtorët e “Pastrimit” hynë në grevë
Punëtorët e kompanisë së pastrimit kanë hyrë në grevë. Këta punëtorë janë duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës si dhe largimin e kryeshefit të tyre. Sipas Komunës së Prishtinës kjo situatë ka shkaktuar kaos në zonat ku kjo kompani mbulon menaxhimin e mbeturinave. “Duke kërkuar largimin e kryeshefit të tyre, dhe kjo ka sjellë…
Lajme
Punëtorët e kompanisë së pastrimit kanë hyrë në grevë.
Këta punëtorë janë duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës si dhe largimin e kryeshefit të tyre.
Sipas Komunës së Prishtinës kjo situatë ka shkaktuar kaos në zonat ku kjo kompani mbulon menaxhimin e mbeturinave.
“Duke kërkuar largimin e kryeshefit të tyre, dhe kjo ka sjellë kaos në zonat ku kjo kompani mbulon menaxhimin e mbeturinave! Kjo situatë ka lënë disa pjesë të qytetit pa menaxhim të mbeturinave, duke krijuar një situatë të rëndë që kërcënon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Sipas Komunës së Prishtinës, për shkak të kapaciteteve të kufizuara dhe vështirësive të vazhdueshme brenda kësaj kompanie, në maj të këtij viti, ishim të detyruar të angazhojmë operatorë privatë për të marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave në disa pjesë të kryeqytetit, për të siguruar qytetarët që të marrin shërbimet e merituara.
“Këta operatorë po vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe efikasitet në zonat ku janë përgjegjës! Dëshirojmë të sqarojmë për qytetarët se ky bojkot i nisur dje dhe kaosi i krijuar janë pasojë e pakënaqësive të punonjësve të kompanisë “Pastrimi” ndaj kryeshefit të tyre”.
Po ashtu është bërë e ditur se protesta që nisi mëngjesin e sotëm është ndërprerë.
“Por sigurisht se do të duhet disa ditë që të sanohet dëmi nga ky bojkot. Ju sigurojmë që kjo situatë është një pasqyrë e thellë e problemeve të brendshme të kompanisë dhe jo e mungesës së angazhimit dhe përkushtimit tonë për kryeqytetin”./Lajmi.net/