Sërish kërcënim me barrikada

Aleksandar Vulin thotë se nuk do të pranojë që të vihen polisa sigurimi për automjete në pikë-kalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë. Përfaqësues të serbëve në Veri kërcënojnë me vendosje të barrikadave, nëse caktohen pagesa të tilla.

Lajme

04/01/2014 16:05

Ministri pa Portofol i Serbisë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka thënë se nuk do të ketë pagesë për sigurimin e automjeteve të cilat kalojnë nëpër pikë-kalimet kufitare në Jarnijë dhe Bërnjak.

Reagimi i Vulin vjen pas shpërndarjes së disa fletushkave në këto dy pikë-kalime kufitare, ku thuhet se që nga 8 janari do të fillojë se aplikuari pagesa për polisa sigurimi për automjete.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk është biseduar në Bruksel dhe se për këtë arsye kjo nuk do të zbatohet, transmeton Tanjug.

“Jam në kontakt intensiv me përfaqësuesit e serbëve në Kosovës dhe me kryetarët e sapozgjedhur të Komunave në Veri, por edhe me përfaqësuesit e BE’së. Mbi të gjitha, u them serbëve se nuk do të ketë më 8 janar pagesa për sigurim dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim lidhur me qarkullimin e automjeteve në kufi”.

“Nuk mund të zbatohet diçka që nuk është rënë dakord për të në Bruksel”.

“Shpërndarja e fletushkave në vendet që nuk janë të lejuara, siç janë pikë-kalimet administrative, është arsye që të protestojmë menjëherë para përfaqësuesve të EULEX’it, pasi që ata kanë për detyrë të garantojnë se çdo gjë që ndodhë në vijën administrative, bëhet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

Përfaqësues të serbëve në Veri të Kosovë kanë kërkuar që të ndalohet shpërndarja e fletushkave nga policia, në të cilat shkruhet për pagesën e polisave të sigurimit në pikë-kalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje.

Anëtari i grupit drejtues për themelimin Bashkësisë së Komunave Serbe, Ljubomir Maric, ka thënë për Tanjug se nëse nuk ndalet ky aktivitet, atëherë, sipas tij, do të ndodhë bllokimi i pikave kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe në magjistralet në Veri.

Maric ka thënë se Kryetarët e katër Komunave në Veri të Kosovës kanë mbajtur në mëngjes një konsultim me anëtarët e grupit drejtues dhe kanë marrë një vendim.

Ai ka shtuar se do të prezantojë këtë vendim edhe para pjesëtarëve të policisë dhe do të kërkojë nga ata që të ndalojnë shpërndarjen e këtyre broshurave.

Në broshurat e shpërndara nga Policia e Kosovës, shkruhet se është në interes të shoferëve dhe në këtë mënyrë ofron mbulesë për dëmet e mundshme të shkaktuara në trafikun rrugor.