Sërgjan Lazoviq pranon se ishte mobilizuar nga forcat serbe më 24 mars 1999, por mohon se kishte marrë pjesë në ngjarjen në Panorc

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq, të martën u administruan provat materiale si dhe u dha mbrojtja nga i akuzuari, i cili deklaroi se nuk kishte marrë pjesë në ngjarjen në Panorc. Fillimisht, prokurori special Armend Zenelaj propozoi administrimin e provave materiale…

Lajme

13/01/2026 13:06

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq, të martën u administruan provat materiale si dhe u dha mbrojtja nga i akuzuari, i cili deklaroi se nuk kishte marrë pjesë në ngjarjen në Panorc.

Fillimisht, prokurori special Armend Zenelaj propozoi administrimin e provave materiale të listuara sipas aktakuzës se kësaj Prokurorie, ndër të cilat u përfshinë dëshmi, raporte, ekspertiza forenzike, procesverbale si dhe CD nga vendi i ngjarjes Ndërsa, prorpozoi që të mos administrohet si provë ekspertiza e dorëzuar nga mbrojtja e të akuzuarit, raporton “Betim për Drejtësi”.

Ndërsa, mbojtësja e të akuzuarit Lazoviq, avokatja Feride Xani e kundërshtoi propozimin e prokurorit Zenelaj, duke theksuar se kjo ekspertizë është punuar në menyrë profesionale nga ekspertë të provuar në këtë lëmi.

Lidhur me këtë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Vesel Ismaili mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e mbrojtjes për administrimin e kësaj ekspertize.

Seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Lazoviq, i cili deklaroi se shërbimin ushtarak e kishte kryer më 1995 në Prizren, ndërsa sipas deklarimit të dhënë në Prokurori, ai kishte qenë pjesëtar rezervë i armatës së atëhershme, ku ishte mobilizuar kur filluan bombardimet e NATOS-s më 24 mars 1999.

“Kur kanë filluar bombardimet e NATO-s më 24 mars 1999, në kuadër të mbrojtjes popullore në Leposaviq, jam ftuar të paraqitem në fshatin Vuça në renditjen e radhës, si pjesëtar rezervë janë ftuar të gjithë personat e moshës madhore që kanë kryer sherbimin ushtarak”, tha Lazoviq.

I akuzuari Lazoviq deklaroi se ishte ftuar në mobilizim përmes ftesës zyrtare, duke dhënë detaje lidhur me të.

“Nga 24 marsi në mbrëmje kur më kanë mobilizuar, 7-8 ditët e para i kam kaluar në fshatin Vuçë, e më pas më caktuan në fsharin Zheronicë, Komuna e Zveçanit. Kam qenë i angazhuar vetëm në vitin 1999 kur kanë filluar bombardimet, çdo mospërgjigje në atë ftesë është konsideruar dezertim dhe janë paraparë dënime të larta me burgim”, tha Lazoviq.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Zenelaj, Lazoviq ritheksoi se ishte mobilizuar nga forcat ushtarake dhe ishte i armatosur.

“Pjesëtar rezervë i forcave ushtarake, i uniformuar, i armatosur, kam qenë i ngarkuar me pushkë gjysëmautomatike lloji ‘pap’”, deklaroi i akuzuari.

Lazoviq mohoi kategorikisht të ketë qenë në Panorc, ku edhe ngarkohet nga Prokuroria Speciale për krime lufte.

“Në mënyrë kategorike e mohoj se kam marrë pjesë në ato ngjarje dhe në atë vend”, tha Lazoviq.

Në seancën filestare më 4 dhjetor 2024, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Sërgjan Lazoviq, për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Në këtë aktakuzë janë përshkruar mënyrat dhe rrethanat e keqtrajtimeve dhe arrestimeve të popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Aty thuhet se banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës së bashku me familjet e tyre, ishin detyruar që të largoheshin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe më të arritur në fshat popullata civile has në një postbllok të forcave policore serbe, të cilët e kishin rrethuar zonën ku ndodhej popullata civile, ku thuhet se forcat serbe fillimisht i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këtyre të fundit u japin urdhër të largohen kurse rreth 500 meshkuj civilë shqiptarë i arrestojnë dhe i dërgojnë në drejtim të shkollës së fshatit, ku gjatë rrugës i maltretojnë dhe i rrahin, në mesin e tyre edhe të dëmtuarin Ahmet Zenuni.

“…me të arritur te shkolla që të gjithë i vendosin nëpër klasa të shkollës dhe i mbajnë të bllokuar për rreth 30 orë kundërligjshëm, në kushte të rënda jetese, duke ua mohuar të drejtat themelore të tyre për ushqim, ujë, nevoja fiziologjike dhe kësisoj forcat serbe, brenda shkollës kishin ndarë një klasë të veçuar nga klasët e tjera ku i mbanin të ndaluarit, në të cilën kishin qenë disa policë bashkë më të pandehurin Sërgjan Lazoviq, të cilët fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë për t’i marrë në pyetje dhe për t’i rrahur, në mesin e tyre edhe të dëmtuarit Z.B., R.G., dhe R.B., të cilët i torturonin fizikisht me armë, mjete të forta si shkopinj prej druri, mjete të punës dhe kabllo, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, me ç’rast 13 prej tyre i arrestojnë dhe i dërgojnë në Burgun e Dubravës, kurse të tjerët i lirojnë”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, thuhet se gjatë periudhës kohore të cekur në dispozitivin I, të kësaj aktakuze, forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri Lazoviq morën pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre, ashtu që duke përdorur një dhunë sistematike dhe gjerësisht të përhapur fillimisht kishin rrethuar fshatin Panorc dhe fshatrat përreth dhe pastaj i kishin bombarduar me artileri të rëndë, kurse në fund kishin hyrë me këmbësori dhe kishin shkuar shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim të Shqipërisë.

Më tej, thuhet se ata plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe mjetet transportuese të civilëve, kurse në fund i dogjën të gjitha duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Me këto, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.