Serbia nuk e ka merituar dhuratën nga BE

Edita Tahiri thotë se Serbia nuk e ka merituar datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, përderisa nuk po i zbaton plotësisht marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sipas saj, Serbia nuk ka bërë progres të mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjeve.

Lajme

21/12/2013 08:57

Shefja e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se Serbia nuk e ka merituar datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, përderisa nuk po i zabton në terren marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Tahiri, e cili ka marrë pjesë në negociatat teknike në Bruksel, thotë për lajmi.net se nga ana e Serbisë nuk ka progres të mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton.

Lajmi.net: Në takimin e fundit në Bruksel mes Kryeministrave Thaçi e Dacic s’është arritur ndonjë marrëveshje lidhur me gjykatat në Veri, mirëpo në të njëjtën kohë Ashton në raportin e saj para Këshillit të Ministrave ka thënë se Serbia e ka pranuar NJË Gjykatë Themelore për tërë rajonin e Mitrovicës. A mund të na sqaroni çfarë ka ndodhur?

Edita Tahiri: Sa i takon takimit që është mbajtur në Bruksel midis dy Kryeministrave dhe zonjës Ashton, për çështjet e drejtësisë, marrëveshje ka pasur për pjesën ku pala serbe është pajtuar që në Kosovë do të jetë vetëm një sistem unik i drejtësisë.

Pra, me fjalë të tjera, ajo ka hequr dorë nga kërkesat për një gjykatë shtesë themelore në pjesën veriore. Siç e dini, ne vazhdimisht kemi thënë që në Kosovë dhe me ligjet e Kosovës ka një strukturë unike të drejtësisë dhe ekziston Gjykata Themelore e Mitrovicës, por që për shkaqe të njohura një kohë ka vepruar në Vushtrri dhe tani kjo duhet të kthehet në selinë e saj në Mitrovicë.

Për këtë, pala serbe ka pranuar, andaj edhe në raportin e zonjës Ashton të paraqitur në Bruksel figuron që në Kosovë do të ketë një sistem unik gjyqësor dhe një sistem unik të drejtësisë dhe vetëm një Gjykatë Themelore në Mitrovicë. Ndërsa, nuk ka pasur pajtime lidhur me numrin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë të pjesës veriore që do të inkuadrohen në strukturat e gjyqësisë së Kosovës.

Në fakt, qëndrimet e Serbisë kanë qenë më tepër të udhëhequra nga logjikat etnike, madje dhe tek pyetja e lokacionit të Gjykatës Themelore, ata kanë shfaqur qëndrime të segregacionit, në një mënyrë kanë menduar që Gjykata Themelore duhet të veprojë edhe në Mitrovicë edhe në Mitrovicën e Veriut, mbi baza etnike dhe lëndët të trajtohen mbi baza etnike.

Qëndrimi i Kryeministrit të Kosovës, z.Thaçi, ka qenë që në shekullin XXI, në kohën kur drejtësia është një parim universal, nuk mund të pranohen logjikat e ngjyrimeve etnike për gjykatat. Prandaj, edhe nuk është arritur marrëveshja në raundin e kaluar.

Lajmi.net: Si do të funksionojnë Gjykatat në rajonin e Mitrovicës?

Edita Tahiri: Do të ketë vetëm një Gjykatë Themelore që do të veprojë në Mitrovicë, aty ku e ka pasur edhe selinë më përpara, si dhe do të ketë divizione, siç e dini nga Marrëveshja e Brukselit.

Lejohen divizionet për Gjykata dhe për Prokurori dhe këto janë ato që lejon marrëveshja. Por, atë që nuk kemi pranuar ne, që ka dashur pala serbe, ka qenë të krijohet edhe një Gjykatë Themelore, që do të vlente vetëm për katër komunat.

Ndërkohë ne kemi refuzuar, sepse Gjykata Themelore, sipas  ligjeve të Kosovës, në Mitrovicë mbulon shtatë komuna.

Lajmi.net: Dacic ka thënë se është mbetur që grupet punuese nga të dyja palët të merren me detajet e kësaj çështjeje. Deri në cilin nivel kanë arritur këto grupe punuese dhe a është përfunduar këto çështje?

Edita Tahiri: Së pari nuk është Dacic ai që i përcakton se kur takohen grupet.

E dyta, Ashton që nga dje ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut në janar, dhe ne besojmë që në fillim të janarit grupet punuese do të vazhdojnë punën.

Lajmi.net: Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia ka marrë dhuratë nga BE me caktimin e datës për nisjen e negociatave dhe se Kosova nuk është shpërblyer. A do të thotë kjo që Kosova ka dalë humbëse nga këto negociata?

Edita Tahiri: Lidhur me Serbinë, mendoj se Serbia nuk e ka merituar datën për fillimin e negociatave në këtë fazë, sepse procesi i zbatimit të marrëveshjeve, që dalin nga marrëveshja e Brukselit, nuk ka progres të mjaftueshëm, që do t’i jepte mundësi Serbisë që të shpërblehej.

Pra, me fjalë të tjera, sikur të kishte një progres substancial, në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, do të kishte edhe bazë që t`i jepet mbështetja Serbisë.

Ne vlerësojmë se kjo ka qenë e hershme, ky vendimi i BE’së. Është dashur që të pritet një zbatim substancial dhe praktik i gjithë marrëveshjes së Brukselit.

E dyta, Kosova ka marrë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pra ka marrë hapjen e negociatave për MSA’në dhe vitin e ardhshëm priten të mbyllen këto negociata.

Kjo është shumë e rëndësishme, që Kosova është prirëse e Marrëveshjes së Stabilizim–Asociimit, sepse, siç dihet, vetëm shtetet janë ato që u jepet ky përparim në Bashkimin Europian.

Mirëpo, unë pajtohem me Ministrin e Jashtëm, në aspektin e liberalizimit të vizave, sepse BE’ja është dashur që t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë.

BE është dashur që të marrë vendim për liberalizimin e vizave, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

Lajmi.net: Zonja Tahiri, ju po shprehni një lloj pakënaqësie. A mund kjo që të rezultojë edhe me pezullimin e negociatave?

Edita Tahiri: Së pari, siç e dini, në politikën e jashtme, ne si shtet i ri jemi deklaruar, edhe në Kushtetutën e vendit, edhe në programin qeveritar, se dialogu është një standard europian dhe edhe ky dialog i Brukselit me Serbinë është në kuadër të angazhimeve tona që të plotësojmë standardet e fqinjësisë së mirë.

Prandaj, në këtë kuadër e shoh unë, dialogu do të vazhdojë, mirëpo ne vazhdimisht do të kërkojmë nga Bashkimi Europian zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, sepse çelësi i suksesit të dialogut të Brukselit është pikërisht zbatimi praktik dhe zbatimi i verifikueshëm nga ana e BE’së, për zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë.

Përderisa Serbia i është shmangur procesit të implementimit, dhe krejt vonë, në dhjetor, ka filluar me disa lëvizje, tregon që nuk ka vullnet politik që sinqerisht t’i zbatojë këto marrëveshje.

Prandaj, është në kompetencat e BE’së që me të vërtetë të shtyjë më përpara këtë proces, duke e detyruar Serbinë që t’i zbatojë këto marrëveshje.