Serbia i merr mjetet nga Plani i Rritjes, Kosova ende jo
Komisioni Evropian i ka transferuar Serbisë mjetet e parafinancimit nga Plani Evropian i Rritjes. Në këtë mënyrë, Kosova mbetet i vetmi shtet i rajonit që ende nuk ka përfituar nga kjo pako. Pa konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë së re në vend, nuk mund të përmbyllen procedurat e domosdoshme që Kosova të nisë…

Lajme
Komisioni Evropian i ka transferuar Serbisë mjetet e parafinancimit nga Plani Evropian i Rritjes. Në këtë mënyrë, Kosova mbetet i vetmi shtet i rajonit që ende nuk ka përfituar nga kjo pako.
Pa konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë së re në vend, nuk mund të përmbyllen procedurat e domosdoshme që Kosova të nisë të përfitojë financiarisht nga ky plan.
Përveç procesit reformues që vlen për secilin shtet të rajonit, Kosova dhe Serbia kanë edhe një kusht shtesë që i referohet qasjes konstruktive të palëve në dialog.
Serbia kishte deponuar vitin e kaluar, me shkrim, pranë Komisionit Evropian, konfirmimin se mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Ohrit – diçka që e kishte kontestuar, po ashtu me shkrim, dy vite më parë.
Ky konfirmim ishte i domosdoshëm për të vërtetuar se Serbia, në të vërtetë, ka një qasje konstruktive ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. I njëjti vlerësim pozitiv vlen edhe për Kosovën.
Komisioni Evropian ia ka ndarë Serbisë 51.7 milionë euro si kredi e butë, si pjesë e fazës së para-financimit të parashikuar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, njoftoi Zyra e BE-së në Serbi.
Edhe pse Serbia i kishte përfunduar më herët procedurat e nevojshme për të marrë mjetet nga Plani i Rritjes, pagesa e parë ishte shtyrë për shkak të problemeve të brendshme në këtë shtet.
Situata u përkeqësua kur presidenti serb vizitoi Moskën, duke injoruar vërejtjet e Brukselit. Këto zhvillime ishin ndër arsyet për shtyrjen e dërgimit të pagesës së parë, duke u pritur ulja e tensioneve në mënyrë që të mos krijohej përshtypja se po shpërblehej lidershipi serb për kultivimin e marrëdhënieve me Moskën zyrtare.