Serbia heq pengesën energjetike

Serbia nuk do ta pengojnë Kosovën në anëtarësimin e saj në nismat rajonale. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e 11-të Këshillit të Ministrave që u mbajt në Beograd.

Lajme

24/10/2013 17:27

Problemi mbi energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka gjasa që së shpejti të rregullohet.

Shenjat e para për këtë janë dhënë në mbledhjen e 11-të Këshillit të Ministrave që u mbajt në Beograd. Në këtë takim ishte pjesëmarrës edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, i cili është ministri i parë nga Kosova që merr pjesë në një iniciativë të tillë të organizuar në kryeqytetin serb.

Në këtë mbledhje ku marrin pjesë vendet anëtare të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ministri Ismajli vuri në dukje çështjen e pengesave që dalin lidhur me sigurinë e furnizimit, hapjen dhe çmimet e tregut si dhe rregullimin e çmimit.

“Sa i përket adresimit të këtyre çështjeve  duhet  konsideruar gjendjen, kushtet dhe zhvillimet në vendet e secilit nga shtetet anëtare”, tha ministri Ismajli.

Ai është fotografuar krah një numri ministrash tjerë të rajonit, përfshirë edhe atë serb, në mes të Beogradit.

Mes pikave të shumta, u potencua edhe kontesti mes  KOSTT (Kosovë) dhe  Republikës së Serbisë. Kreu i Sekretariatit të këtij komuniteti Fabricio Barbaso, theksoi që  marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë është hap drejt zgjidhjes përfundimtare të këtij kontesti.

“Nëse nuk arrihet implementimi i kësaj marrëveshje deri në Tetor 2014, do ta ngris çështjen në Këshillin Ministror përmes instrumenteve përkatëse”.

Lidhur me këtë ministrja e Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlovic deklaroi  që këto dy kompani, brenda tre muajsh do të nënshkruajnë marrëveshjen për operim të koordinuar  të sistemeve të tyre. Ajo, theksoi se shteti i saj tash e tutje nuk do të bëjë pengesa për  anëtarësimin e Kosovës  në mekanizmat ndërkombëtare, ashtu siç është edhe njëra nga pikat e marrëveshjes

Ministri Ismajli dhe homologia e tij nga Serbia, ministrja Mihajlovic si dhe Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë,  më tutje patën takim ku shprehën gatishmërinë e plotë drejt implementimit të marrëveshjes në sektorët përkatës.

Ismajli kërkoi që konsumi i energjisë elektrike të vendoset nën kontroll edhe në Mitrovicën e Veriut.