Serbia fillon dialogun strategjik me ShBA-të, Kosova jo – Hoti: Nëse vazhdon kjo qasje, mbetemi të izoluar ekonomikisht dhe politikisht
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar për pasoja në aspektin politik dhe ekonomik. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka deklaruar se, “Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e…
Lajme
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar për pasoja në aspektin politik dhe ekonomik.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka deklaruar se, “Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në”, ndërsa ka shtuar se Serbia këtë të premte nis raundin e parë të dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara, transmeton lajmi.net.
Ai ka kritikuar edhe vendimin e Kosovës për të mos u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit, duke theksuar se ky projekt synon shpërndarjen e gazit amerikan për të ulur varësinë e vendeve të rajonit nga gazi rus.
Sipas Hotit, Serbia ndërkohë tashmë ka hyrë në marrëveshje të mëdha energjetike, përfshirë edhe importin e gazit amerikan.
Në fund të reagimit të tij, deputeti i zgjedhur i LDK-së ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj qasjeje mund ta vendosë Kosovën në një pozitë të pafavorshme.
“Nëse vazhdon kjo qasje, Kosova mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike,” ka shkruar Hoti.