Serbët nuk i duan simbolet e Kosovës në statuset komunale

Komunat veriore po refuzojnë që të miratojnë statusin e tyre për shkak të simboleve të Kosovës që janë aty. Serbët kanë problem me stemën dhe me 'Republika e Kosovës', ka treguar këshiltari komunal Emir Azemi. Ai thotëse për simbole nuk do të lëshojë pe.

Lajme

06/03/2014 11:17

11 marsi është afati i fundit kur komunat veriore duhet të miratojnë statusin. Anipse ka filluar draftimi i statusit, akoma nuk dihet se deri në cilën pikë ka shkuar ky proces.

Me qëllim që t’i ndihmojë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka dërguar një status model këtyre komunave.

“MAPL’i me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, u ka dërguar zyrtarëve komunalë Model Statutin. Në kuadër të statutit të Komunës mund të ketë edhe dispozita që përcatojnë procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Asociacionit nga radhët e kuvendit të komunës”, ka thënë për “Koha Ditore”, Lumnije Demi nga MAPL.

Problem për mosmiratimin e këtij statusi, duken të jenë stema shtetërore dhe emërtimi “Republika e Kosovës”. Këshilltari komunal në Mitrovicën e Veriut, Emir Azemi ka thënë se ai do të insistojë që të mos bëhet asnjë lëshim që do të binte në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“E kemi marrë draftstatutin dhe shumica e punës në të është kryer. Por problemi kryesor është stema dhe emërtimi “Republika e Kosovës”, të cilën po refuzojnë serbët. Por ja kam bërë të qartë kryetarit të Komisionit se duhet respektuar Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë Emir Azemi për “Koha Ditore”.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, Kuvendi konsiderohet jofunksional nëse nuk e miraton statusin e saj brenda 60 ditësh pas themelimit. Ndërkaq, katër komunat veriore, më 11 janar kishin inauguruar kuvendet e tyre komunale.