Serbët në veri të Mitrovicës pengojnë rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve

Të enjten, në orët e mëngjesit, grupe serbësh, kanë penguar banorët shqiptarë të fillojnë rindërtimin e shtëpisë së Hazir Feratit, banor i lagjes ‘Kroi i Vitakut’, shtëpia e të cilit ishte shkatërruar tërësisht gjatë luftës në Kosovë.

Lajme

25/12/2014 14:39

Pas kësaj, përfaqësues shqiptarë të kësaj lagjeje kanë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve, pasi që serbët janë duke punuar e shqiptarë nuk po lejohen.

Nazmi Ismaili, përfaqësues i lagjes i ka thënë ’Koha Ditore’, të enjten se “pasi serbet na ndërprenë punimet në rindërtimin e shtëpisë së Hazir Ferati, ne tani të vetmen mundësi po e shohim rrugën, pra protesta dhe bllokim të rrugëve në këtë lagje.

“Banorët shqiptarë, nuk kanë dëshirë që të protestojnë por jemi të detyruar që të bëjmë një gjë të tillë, pasi që tash e disa ditë serbët dhe policia e Kosovës e veriut të Mitrovicës, nuk po na lejojnë t’i rindërtojmë shtëpitë tona që na janë shkatërruar gjatë luftës. Sipas vendimeve ndërkombëtar, pra ato të UNMIK-ut e UNHCR-së, e që ende janë në fuqi, për personat që iu janë djegur dhe shkatërruar shtëpitë gjatë luftës, nuk ka nevojë për ndonjë leje ndërtimi”, ka thënë Ismaili.

Hazir Ferati ka theksuar se pasi “filluam punën në rindërtimin e shtëpisë, një grup serbësh nuk na lejoi të punojmë dhe u detyruam të ndërpremë punimet. Kemi mbetur vetëm dhe në mëshirë të fatit, askush përveç disa zyrtarëve të Komunës së jugut të Mitrovicës nuk po interesohet për ne”, ka thënë Ferati.

Gazeta ka tentuar që për këto probleme të kontaktojë me policinë e Kosovës në veri të Mitrovicës, por telefonat e tyre kanë qenë të mbyllur.