Serbët dhe malazeztë më të armatosurit në rajon, ja ku renditet Kosova

Serbia dhe Mali i Zi kryesojnë shtetet në rajon për posedimin e armëve nga civilët. Sipas statistikave të fundit të bëra nga një organizatë me seli në Gjenevë, që merret me armët e vogla, këto dy shtete kanë nga 39.1 armë për 100 banorë.

Lajme

19/06/2018 15:44

Bosnja dhe Hercegovina ka 31.2 armë për 100 banorë, kurse Maqedonia 29.8. Kosova renditet pas vendeve fqinje, me 23.8 armë për 100 banorë.

Më mirë se Kosova është Shqipëria, e cila është e fundit prej shteteve fqinje, me 12.03 armë zjarri për 100 banorë.

Sipas organizatës “Small Arms Survey”, numri i posedimit të armëve të vogla nga ana e qytetarëve në botë është në rritje. Vlerësohet të jenë më shumë se 1 miliard armë zjarri në botë, e që është një rritje prej 17% gjatë 10 vjetëve të fundit.

 

 

Mbi 857 milionë (85 %) të armëve janë në duart e civilëve, 133 milionë (13 %) janë në duar të ushtarëve dhe 23 milionë armë (2%) i përkasin policisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e parë për vitin 2017 sa i përket posedimit të armëve nga civilët.

Amerikanët kryesuan edhe në anketimet e vitit 2007, duke zotëruar 270 milionë armë, të cilat u përkthyen në 90 armë për çdo 100 banorë.

Pas SHBA-së me 393 milionë armë, është India me 71 milionë armë zjarri dhe në vendin e tretë është Kina me 50 milionë armë. SHBA-ja prin edhe sa i përket numrit të armëve për 100 banorë, pothuajse 121 armë zjarri për çdo 100 banorë.

Jemeni është ne vendin e dytë me 58.2 armë për 100 banorë. Indonezia, Japonia dhe Malavi, kanë më pak se një armë zjarri për çdo 100 banorë.

Sa i përket armëve të mbajtura nga forcat e rendit, Rusia vlerësohet të ketë shumën më të madhe 2.4 milionë armë, pasuar nga Kina me 1.9 milionë. Për rezervat ushtarake të armëve të vogla, Rusia është sërish e para me 30.3 milionë. Ushtria amerikane vlerësohet të ketë në zotërim 1 milion armë të vogla.