Selimi paralajmëron Hotin: Qeveria juaj është ilegale, do të na keni në Kuvend e në shesh
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca ku pritet të votohet qeveria e re nën udhëheqjen e Avdullah Hotit.

Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në fjalimin e tij sulmoi Gjykatën Kushtetuese për vendimin e saj për dekretin e presidentit Thaçi, shkruan lajmi.net.
Madje tha se qeveria Hoti nuk është legale.
“Në vend që nga Kushtetuesja të prodhojë drejtësi, ajo prodhoi një aktgjykim të padrejtë. Kushtetuesja është zgjedhur këtu, siç është zgjedhur presidenti që ne e dërguam në gjykatë. Vendimi i saj ishte i padrejtë, dhe këtë do ia jemi kujdto në sy, edhe atyre. Ashtu si jolegale do të jetë edhe jolegjitime edhe qeveria që po doni ta formoni”, tha ai.
Sipas Selimit, qeveria që do të votohet sot, është qeveri e presidentit Thaçi, dhe e njëjta do të hidhet si leckë sipas tij pasi që presidenti t’i arrijë qëllimet e veta.
“Ajo që po doni ta votoni sot nuk është qeveria Hoti. Nuk është as qeveria Thaçi 3 por është qeveri e Thaçit, e cila do të hidhet si një leckë pasi që t’i ketë arritur qëllimet e tij. Neve nuk është që na vije keq për veten tonë, por që po tentohet të bëhet një qeveri vazale dhe grupeve që kanë kapur shtetin. I dijmë shumë mirë qëllimet tuaja, i keni të cekëta por të rrezikshme, të cekëta por të këqija”, tha Selimi.
Selimi përmendi edhe njëherë kërkesën e Vetëvendosjes për shkuarjen në zgjedhje, e që sipas tij është kërkesë kryesore e qytetarëve.
“Kam një fije droje se jo të gjithë prej jush po e dini se çfarë po bëni. Keni edhe pak kohë që të mendoni, reflektoni. Pyesni familjet tuaja, familjet tuaja, miqtë tuaj të vërtetë. Ose le t’i pyesim qytetarët dhe të shkojmë në zgjedhje dhe ata do ua tregojnë vendin”, ka thënë ai.
“Këtu do të jemi, në kuvend e në shesh, kudo që të na kërkoj nevoja dhe qytetarëve”, shtoi ai. /Lajmi.net/