Së bashku kundër kancerit të gjirit

Presidentja Atifete Jahjaga u bëri thirrje nënave, grave dhe vajzave t’u nënshtrohen kontrolleve të rregullta mjekësore dhe në këtë mënyrë të fitojnë mbi sëmundjen e kancerit.

Lajme

12/10/2013 17:07

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte sot e pranishme në manifestimin “Ecja për shërim”, aktivitet hapës për muajin kundër kancerit të gjirit. Jahjaga u bëri thirrje të gjitha grave që të kontrollohen dhe të luftojnë këtë sëmundje të rëndë.

Ky manifestim është organizuar nga shoqata “Jeta/Vita”.

“Përmes ecjes sonë simbolike, ne dëshmojmë kujdesin edhe solidaritetin si individë, si shoqëri dhe institucione, për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit. Vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë betejë”.

“Kanceri i gjirit, është sëmundje që prek pa dallim të gjitha shtresat e shoqërisë kudo nëpër botë. Kjo sëmundje, edhe pse shumë e rëndë, mund të mposhtet nëse zbulohet me kohë. Mesazhi im sot është ai i shpresës, i cili buron nga forca dhe guximi i shumë grave dhe burrave që e kanë sfiduar këtë sëmundje, duke i mposhtur të gjitha vështirësitë me të cilat janë përballur ato”.

“Ju lus të gjithave, nëna, gra, motra dhe vajza, t’i nënshtrohemi kontrolleve të rregullta mjekësore, pasi diagnostikimi i hershëm do të thotë fitore mbi këtë sëmundje”.

Presidentja Jahjaga çmoi lartë kontributin e grave deputete të cilat me nismën e tyre po mbledhin  fonde për të blerë një aparat të mamografisë. Gjithashtu ajo vlerësoi punën e Nafije Latifit nga shoqata “Jeta/Vita”, për punën e tyre në luftën kundër kancerit të gjirit.

Të pranishëm në këtë manifest ishin edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Agim Çeku si dhe ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.