S’duan kryeministër me rotacion
Dështimi i Bllokut VLAN për të zgjedhur në postin e kryetarit të Kuvendit liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ka shkaktuar pakënaqësi te kjo parti e cila tashmë po kërkon ridizajnimin e marrëveshjes, në mënyrë që të marrë postin e kryeministrit.
Lajme
Por, idenë e ridizajnimit nuk po e pëlqen AAK-ja, parti të cilës fillimisht i ishte deleguar posti i kryeministrit. Ndërkaq, partneri tjetër i Bllokut, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar që për të dalë nga ky ngërç politik, që posti i kryeministrit t’iu takojë nga dy vjet edhe LDK-së.
Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija duke folur për “Zëri” nuk e ka specifikuar se nëse rotacioni prej dy vjetësh do të ishte ide e pranueshme. Por, ajo ka thënë se LDK-ja si partia më e madhe e koalicionit paszgjedhor duhet të udhëheq me Qeverinë.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga Gjykata Kushtetuese u pamundësua zbatimi i plotë i marrëveshjes, prandaj u detyruam të kërkojmë rishikimin e saj. Por modalitetet do të analizohen dhe vendimet do të merren në struktura. Ajo që dihet është se LDK-ja është partia më e madhe e koalicionit dhe si e tillë ka përgjegjësi më të madhe për mbarëvajtjen e Qeverisë. Prandaj kërkojmë që konform kësaj të bëhet rishqyrtimi i marrëveshjes dhe LDK-ja të udhëheqë Qeverinë e re”, ka thënë Sahatqija.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Bruim Ramadani, i pyetur se nëse AAK-ja do të pranonte që të udhëhiqte qeverinë me rotacion, ai nuk është përgjigjur, por ka bërë thirrje që seanca konstituive e Kuvendit të thirret sa më parë.
“Përgjigja ime është kjo: Ftoj Flora Brovinën ta thërrasë seancën sa më shpejt, madje menjëherë, sepse ky është bllokimi i Kosovës dhe jo çështjeve tjera”, ka thënë Ramadani për “Zëri”.