SBASHK-u nis grevën nga e marta

Të martën ora e parë e të dy ndërrimeve në të gjitha shkollat e Kosovës nuk do të mbahet. Kështu ka vendosur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Greva do të mbahet në shenjë proteste për moszbatimin e 4 pikave të Kontratës Kolektive.

Lajme

10/01/2015 14:26

 Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka marrë vendim të fillojë grevën që nga dita e martë.

Greva do të nisë të martën, ku nuk do të mbahen orët e para të ndërrimit të paradites dhe pasdites, e cila më pas do të ashpërsohet.

Kështu është vendosur të shtunën në takimin e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut nga e cili doli vendimi unanim për të filluar grevën në orët e para të mësimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se një vendim i tillë u mor për shkak se nuk dihet sigurt ende nëse do të implementohet Kontrata Kolektive në sektorin e arsimit.

 “Kryesia e SBASHK-ut dhe unë si kryetar mendoj se veprimet e përshkallëzuar sindikale t’i fillojmë në ditën e martë, duke respektuar Konventat ndërkombëtare dhe vendore të mos punohet në shenjë të reagimit në mbrojtje të kontratës, të mos punohet ora e parë e paradites dhe ora e parë e pasdites, është fjala për të martën me 13 janari”, tha Jashari.

Sipas tij nëse edhe pas kësaj nuk veprohet asgjë nga Qeveria për zgjidhjen e këtyre katër pikave, deri të enjten, më 22 janar do të mbahet grevë në dy orët e para të paradites dhe pasdites. E nëse as atëherë nuk do të ketë ndonjë reflektim nga ana e qeveritarëve Këshilli Drejtues ka bërë të ditur se të premten me 30 janar të mbahet grevë e përgjithshme një ditore.

 “Deri me këtë datë do t’i kemi nëpër shkolla listat e pagave dhe do ta shohim realitetin konkret dhe po iu paralajmëroj që pas këtij hapi që ne po i quajmë si veprime të buta, pra një orëshe, të enjten dy orëshe dhe të premten e 30 janarit të shkojmë me grevë një ditore, nëse nuk reflektohet atëherë SBASHK-ut nuk i mbetet gjë tjetër por pas kësaj date, pasi që i shohim listat dhe e shohim realitetin konkret atëherë Këshilli Drejtues mblidhet në një mbledhje të jashtëzakonshme, apo i mbledhim vetëm kryetarët e komunave me autorizim që ua japin kolegët e tyre dhe atëherë nuk na mbetet tjetër përveç se të shkojmë në grevën e përgjithshme”, tha ai.

Katër pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive janë shujta- 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 përqind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 përqind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tri paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit.

Kontrata Kolektive është nënshkruar në mars të vitit të kaluar dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në atë kohë kishin theksuar se do të jenë garantues të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe se do të sigurojnë përmbushjen e të drejtave, që iu takojnë punëtorëve.

(KosovaPress).