Sauditë sulmojnë një kamp refugjatësh, vriten 15 persona

Një sulm ajror i koalicionit, që udhëhiqet nga Arabia Saudite, raportohet se ka vrarë dhe plagosur disa dhjetëra persona në një kamp të të zhvendosurish në Jemenin veriperëndimor.

Bota

30/03/2015 18:00

Agjencia e lajmeve AFP e ka cituar organizatën Mjekët Pa Kufij, sipas së cilës 15 trupa të pajetë dhe 30 persona të plagosur janë dërguar në spital, afër kampit Al Mazrak gjatë ditës së sotme, transmeton REL.

Një zyrtar vendor ka thënë se në mesin e viktimave ka fëmijë, gra dhe personel të sigurisë së kampit.

Zyra e OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare ka thënë se sulmi është bërë mbi kamp.

Në kamp, prej vitit 2009, janë vendosur jemenas që janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në mes të rebelëve Huthi dhe qeverisë qendrore.