Sanksionet shtesë ndaj Rusisë që Kosova vendosi sot

Qeveria e Kosovës ka shtuar sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me ato të cilat janë vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Lajme

16/05/2022 18:39

Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve në territorin e Kosovës për të sanksionuarit, ndalim udhëtimi, bllokim të qasjes në fonde dhe ndalim të operimit në tregun financiar kosovar për të sanksionuarit.

Në pakon e sanksioneve përfshihen ndalesa edhe për Bjellorusinë. Një pako me sanksione ekonomike për Rusinë e Bjellorusinë janë miratuar në mbledhjen e Qeverisë e cila u drejtua nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ekzekutivi është pajtuar për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me marrjen e masave restriktive për terrorizëm.

“Këto konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara, ndalim për çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus dhe bjellorus që të transportojnë mallra përmes rrugëve brenda Kosovës përfshirë transitin, përjashtimisht produkteve farmaceutike mjekësore, bujqësore dhe ushqimore duke përfshirë grurin dhe transportin rrugor për qëllime humanitare, dhe ndalim të importit nga Rusa të qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse të ngurta në Kosovë nëse ato janë me origjinë nga Rusia ose eksportohen nga Rusia”, ka thënë Bislimi.

“Individët e subjektit të sanksionuara janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve terroriste në Afganistan dhe vendet fqinje, prandaj ato përbëjnë një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Nëpërmjet aktiviteteve të tyre propagandistike ata gjithashtu kanë luajtur një rol kyç në promovimin e ideologjisë së dhunshme xhihadiste të Al-Qaedas dhe Daeshit dhe në nxitjen e akteve terroriste në mbështetje të këtyre dy organizatave. Ky vendim do të konfirmonte vendosmërinë tonë të palëkundur për ta luftuar kërcënimin terrorist të paraqitur nga Daesh dhe Al-Qaeda dhe degët e tyre rajonale”, ka thënë Kreshnik Ahmeti, zv/ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ndërkaq qeveria ka emëruar Dije Rizvanollin përfaqësuese të Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Tutje është vendosur edhe që programit legjislativ për vitin 2022 t’i shtohet edhe projektligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërsa afati për miratim është vendosur 20 dhjetori i këtij viti.

Qeveria ka shtuar sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me ato të cilat i ka vendosur SHBA dhe BE.