Sallahu pret votimin e Albulena Haxhiut si kryetare Kuvendi, paralajmëron zgjedhje në rast të bllokadës

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se pret që nesër (21 prill) Kuvendi i Kosovës të votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, si e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Ai ka theksuar se partia e tij ka përmbushur obligimin kushtetues sipas nenit 67 të Kushtetutës. “Neni 67, paragrafi 2 i Kushtetutës…

Lajme

20/04/2025 23:40

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se pret që nesër (21 prill) Kuvendi i Kosovës të votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, si e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ai ka theksuar se partia e tij ka përmbushur obligimin kushtetues sipas nenit 67 të Kushtetutës.

“Neni 67, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si Lëvizje Vetëvendosje!, e kemi përmbushur këtë nen duke e propozuar për kryetare të Kuvendit znj. Albulena Haxhiu, e cila i ka gjithsej 125,327 vota, pra është në pesëshen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sallahu në një postim më 20 prill.

Ai ka paralajmëruar se, nëse Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar, atëherë “e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”.

“Mungesa e vullnetit opozitar për moskonstituim të Kuvendit nënkupton mospranim të rezultateve zgjedhore. Marrëveshja duhet të jetë për konstituim ose për shpërndarje të Kuvendit,” ka shtuar ai.

Ndërkohë, edhe ish-shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar gjatë ditës së sotme duke e quajtur shkelje mospjesëmarrjen e deputetëve në votimin për kryetarin e Kuvendit. Ajo ka publikuar një pjesë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që thotë se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të ushtrojnë të drejtën e votës në seancën konstituive.

“Deputetët nuk mund të mos votojnë të hënën (21 prill) gjatë vazhdimit të seancës,” ka theksuar Kusari-Lila.

Pavarësisht që LVV-ja, si partia me më së shumti vota, ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, kandidatura e Haxhiut nuk ka marrë ende mbështetjen e nevojshme. Në dy tentativa të mëparshme, ajo mori 57 vota pro, 19 kundër, ndërsa 3 deputetë abstenuan.

Sipas Kushtetutës, nuk ka një afat të caktuar se kur duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit pas certifikimit të zgjedhjeve, por Rregullorja e re e Kuvendit përcakton që ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.

Procesi i formimit të institucioneve të reja varet nga konstituimi i Kuvendit. Vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, Presidentja mund të mandatojë kandidatin për kryeministër nga partia fituese – në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje.

Mandatari, më së largu brenda 15 ditësh pas emërimit, duhet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin e saj nga Kuvendi. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr së paku 61 vota. Në rast se dështojnë dy tentativa për zgjedhjen e Qeverisë, Presidentja shpall zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja.

Nëse brenda 60 ditësh nga emërimi i mandatarit nuk arrihet formimi i Qeverisë, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht.