Salih Mustafa në Speciale e përmend Vuçiqin, Daçiqin e Vulinin – Millosheviqin e quan “kasap”

Ka nisur seanca në Gjykatën Speciale kundër të akuzuarit Salih Mustafa.

Lajme

28/10/2020 16:13

Me lejen e gjykatësit të procedurës paraprake, Mustafa në këtë seancë ka mbajtur një fjalim para se të deklarohej për fajësinë, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e pastër, dhe pa ndonjë alternativë tjetër.

“Me lejen tuaj. Aktakuzën s’ka nevojë me ma rilexu sepse e kam kuptu.  Zoti Gjykatës fillimisht ju falënderoj për mundësinë për të shprehur atë që mendoj dhe jam i bindur. Dhomat e Specializuara, zoti gjykatës, zonja dhe zotërinj, pasi që jam qytetari i parë i Republikës së Kosovës i nxjerrur para kësaj gjykate me një aktakuzë të konfirmuar, dua të bëj një deklaratë: Unë Salih Mustafa, ish-luftëtar i lirisë dhe ish-epror i UÇK-së, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së dhe moralin e bashkëluftëtarëve të mij,  duke qenë thellë i bindur se lufta për liri e pavarësi e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme sepse okupimi i gjatë dhe regjimi fashist me përmasa gjenocidiale i Sllobodan Millosheviqit, si dhe pas luftërave të përgjakshme pushtuese të këtij kasapi në Kroaci dhe Bosnje, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë shumë zgjidhje. O të përfundonim në kampet e refugjatëve, pa nderë, pa atdhe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të pashmganshme që kulmoi në luftën për liri, pavarësi e shtet demokratik”, tha ai.

Lexo edhe:

https://lajmi.net/lajmi-i-fundit-salih-mustafa-deklarohet-i-pafajshem-perpara-gjyqtareve-te-speciales/

“ I nderuari gjykatës, duke besuar në moralin tim, bindjet e mija dhe karakterin tim që kam ndërtuar në 34 vite të jetës time në shërbim të atdheut, rrugës drejt lirisë si dhe në shërbim të institucioneve demokratike të shteti tim, duke respektuar gjithmonë shtetet mike që ndihmuan në lirinë tonë, duke qenë thellë i bindur se UÇK kurrë s’ka qenë organizatë terroriste apo bandë kriminale, por një ushtri çlirimtare lindi nga populli, dhe e cila me shumë mund e sakrifica, duke derdhur gjakun e djemve  është bërë gurthemel i lirisë që ne e gëzojmë”, shtoi tutje ai.

Ai tha shpreson që  armiqtë e Kosovës mos ta përdorin këtë gjykatë për interesa të veta.

Madje e përdori edhe një thënie të Krishtit.

“Duke dashur të besoj që këto Dhoma të Specializuara nuk do të influencohen nga politika vendore apo ndërkombëtare, apo nga grupet e interesit. Duke dëshiruar që këtë gjykatë, armiqtë e shtetit tim mos ta përdorin kundër republikës time, duke përbuzur ata individë qofshin vendor apo ndërkombëtar që për interesa të tjera të ulëta po godasin themelet e lirisë sonë, luftën e drejtë të UÇK-së, dhe po tentojnë t’i kryqëzojnë luftëtarët e lirisë duke bërë punën e Luciferit, përderisa lakmia dhe interesat e ngushta ua kanë turbulluar mendjet, sytë ua kanë verbuar nga urrejtja dhe inatet, e shpirtin ja kanë shitur djallit. Për këtë kategori spo gjej fjalë më adekuate  për të shprehur se fjalët hyjnore të Krishtit: Fali o zot se nuk po e dijnë çka po bëjnë”, tha tutje Mustafa.

Ai pati edhe një thirrje për deputetët e Kosovës si dhe deputetët evropianë.

“ Shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian dhe Deputetëve të Kosovës, politikanëve evropianë, të Kosovës si dhe drejtësië evropiane që të zgjojnë ndërgjegjen njerëzore, demokratike dhe humanitare, që kësaj gjykate speciale selektive që në analet e historisë së drejtësisë ndërkombëtare është e panjohur t’ia zgjerojë kompetencat për të hetuar, gjykuar dhe vënë drejtësi edhe për 1 mijë e 932 fëmijë të vrarë e masakruar, 16 mijë viktimave civile, për mbi 20 mijë nëna dhe motra tona të dhunuara seksualisht. Për të zhdukurit, për qindra varreza masive të zbuluara deri në Rashkë të Serbisë. Për mbi 450 masakra të ndodhura në territorin e Kosovës. Paqja nuk do të arrihet duke përkëdhelur trinomin fashist të Aleksander Vuçiqit, Ivica Daçiqit, e Aleksander Vulinit të cilët ishin aktiv në regjimin e Millosheviqit, dhe tani janë shndërruar në çetnikë sallonesh, të cilët edhe në ditët e sotme, me politikat e tyre fashiste po godasin lirinë dhe qytetarët e shtetit tim, bashkëkombasit e mij në Kosovën Lindore”, tha në fund ai. /Lajmi.net.

Salih Mustafa në Speciale e përmend Vuçiqin, Daçiqin e Vulinin – Millosheviqin e quan “kasap”