Sabri Hamiti, më në fund shmang konfliktin e interesit

Deputeti Sabri Hamiti që prej 12 nëntorit 2009 kishte ushtruar detyrën e anëtarit në Komisionin shtetëror për cilësi. Kjo sipas Agjencisë Antikorrupsion është cilësuar si konflikt interesi dhe vetëm pas disa konsultave me deputetin, është arritur që të shmanget kjo shkelje.

Lajme

21/04/2014 10:29

Deputeti i LDK-së, njëherësh nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti më 12 nëntor të vitit 2009 është emëruar anëtarë në Këshillin shtetëror për cilësi.

Ky emërim sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit është cilësuar si konflikt interesi, raporton Kosova Sot, pasi që sipas nenit 72 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje me pronësi publike dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj”.

Por, Sabri Hamiti ka arritur që të shmangë konfliktin e interesit dhe rasti i tij nga AAK është trajtuar sipas ligjit.

Në raportin e AAK-së, për rastin “Hamiti”, thuhet se deputeti është njoftuar nëpërmjet një shkrese dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e AAK-së, ka arritur që të shmang konfliktin e interesit.

“Pas pranimit të shkresës zyrtari në fjalë është takuar me zyrtarët e Agjencisë dhe i është sqaruar situata në të cilën ndodhet, si dhe ndryshimet që duhet t’i bëjë për të shmangur situatën e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Në këtë takim Hamiti ka deklaruar se funksioni, të cilin e mban në Këshillin shtetëror për cilësi është vetëm këshillues”, thuhet në vendimin e AAK-së, raporton Kosova Sot.