Sa vërtetime për veteranë u lëshuan nga Qeveria Haradinaj për dy vite?
Ata që kanë përfituar pa meritë në emër të luftës duke marrë statusin e veteranit të UÇK-së, janë duke u hetuar.
Lajme
Qeveria Haradinaj II, të cilës i kanë mbetur edhe pak ditë në kryej te ekzekutivit, ka publikuar punën e vet për dy vite.
Derisa mijëra veteranë janë nën llupën e hetuesisë nën dyshimin që u përfshinë në këtë kategori pa meritë përfshirë edhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror, Haradinaj ka pasqyruar punën e drejtorisë për kategoritë e dala nga lufta e UÇK.
Sipas këtij raporti nga shatori i 2017-tës, deri në shtator të këtij viti, vërtetimet e lëshuara për kategoritë e dala nga lufta janë 15.519. Nga to 5526 janë për veteran, 2968 janë për invalid, 669 dëshmorë, 5205 benificione, 940 stazh pune. Ndërkohë, janë refuzuar vetëm 181 raste, shkruan lajmi.net.
Po sipas raportit, me të marr detyrën qeveria Haradinaj është rregulluar çështja e pagesave të pensioneve të veteranëve, duke u paguar borxhi i qeverisë paraprake, si dhe duke mos pasur më asnjë vonesë në pagesën e tyre gjatë tërë mandatit të qeverisë.
“Gjithashtu, është anuluar një vendim i MPMS, që ndalonte aplikimin për pension të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve. Kështu, u hap mundësia e aplikimit të tyre dhe u themelua Komisioni Mjekësor Invalidor, për vlerësimin e shkallës së invaliditetit. Janë rehabilituar në banja termike dhe bregdet; 5048 veteranë, invalidë dhe familjarë dëshmorësh. Me kërkesë të Shoqatës së Invalidëve, është financuar ndërrimi i protezave të invalidëve të luftës. Gjithashtu janë mbështetur financiarisht individë si dhe Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së”, thuhet tutje në raport.
Tutje në raport thuhet se, ZÇKL ka zhvilluar bashkëpunim korrekt me organet e rendit dhe drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të veteranit, invalidit dhe dëshmorit të UÇK-së.
“Rreth 100 raste janë zbuluar dhe iniciuar hetimi i tyre nga vet zyrtarët e ZÇKL. Zyra ka qenë e hapur gjithmonë dhe ka takuar rreth 5800 palë të cilat janë trajtuar me dinjitet”.
Pensionet nuk u ndalën ndërsa aktakuza me përmirësime thotë se tani në listën e veteranëve të rrejshëm janë 19.500.
Kjo kategori po i kushton mjaftë shumë buxhetit të Kosovës.
Në gusht, 38 mijë e 103 veteranë, buxhetit të shtetit i kushtuan 6 milionë e 390 mijë e 770 euro.
E në shtator, për 38 mijë e 120 veteranë, u shpenzuan 6 milionë e 398 mijë e 716 euro.
Kosova për shumën e madhe që harxhon për veteranët e UÇK-së ishte kritikuar edhe nga ndërkombëtarët. /Lajmi.net/