Russell i sigurt se Hamilton do të kthehet më i fortë pas dështimit në Imola

Grand Prix Imola ishte një për t’u harruar nga ana e Lewis Hamilton.

Sport

26/04/2022 13:52

Shtatë herë kampioni botëror nuk mbahet mend të ketë bërë ndonjë garë më të dobët sesa ajo në Imola gjatë vikendit, ku mes tjerash u parakaluar dy herë nga Max Verstappen.

Gjithsesi, përkundër dështimit, shoku i tij i skuadrës, George Russell beson se Hamilton do të rikthehet akoma më i fortë pas kësaj gare.

“Mendoj se kështu bien gjërat ndonjëherë në një garë vikendi. Unë bëra start të mirë. Nuk e di çfarë ndodhi me të në start, por ne jemi duke vuajtur njësoj dhe kur bolidi është aq larg, nuk duket i mirë për t’u vozitur. Sidomos vuajmë më ngrohjen e gomave. Të premten ishte 13 gradë dhe ishte tmerr për t’u vozitur”, ka thënë Russell, transmeton lajmi.net.

“Unë pres që ai (Hamilton) të kthehet më i fortë, dhe mënyra se si ai motivon skuadrën është inspiruese. Nuk po rehatohem me situatën sepse e di se çfarë ai është në gjendje të bëjë”, ka shtuar britaniku.

Russell ka marrë rezultate më të mira sesa Hamilton në fillim të këtij sezoni, por e di se gjërat mund të ndryshojnë lehtë në vazhdim, nëse Mercedes gjen një zgjidhje për W13. /Lajmi.net/