​Rushiti: Drejtësia për viktimat e dhunës seksuale është njohje dhe shërim

Stigma është armik i fshehur që godet të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftë, ka thënë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti. Sipas saj, efekti i saj në shumë raste ka shkatërruar të dhunuarit në luftën e fundit në Kosovë. Njëzet e pesë vjet pas luftës, ajo…

Lajme

27/01/2025 13:00

Stigma është armik i fshehur që godet të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftë, ka thënë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti. Sipas saj, efekti i saj në shumë raste ka shkatërruar të dhunuarit në luftën e fundit në Kosovë. Njëzet e pesë vjet pas luftës, ajo theksoi se drejtësia është rehabilitim dhe jo vetëm ndëshkim i asaj çfarë ka ndodhur.

Kështu u shpreh ajo ne tryezën me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale lidhur me konfliktin”.

“Dhuna seksuale në luftë por edhe në vendet ku ka konflikte të armatosura aktuale, lë plagë të thella dhe të shumëfishta. Ndikimi nuk ndalet vetëm te dëmi fizik qysh mendohet, por edhe shkatërrimi mendor të saj por sigurisht edhe siguria personale. Ajo përfshin një efekt më të madh dhe më të fshehur, siç është stigmatizimi që rëndon edhe më thellë traumën e këtyre personave me të cilën ballafaqohen me dhunën seksuale. Shumë herë efekti i stigmës është efekt shkatërrues. Stigma është një armik i fshehur që godet të mbijetuarit pas dhunës. Ajo krijon një barrierë të padukshme por edhe të rëndë duke i izoluar të mbijetuarit nga shoqëria dhe duke i shkaktuar ndjesinë e turpit dhe marres që mbizotëron jo vetëm te ajo si individ, por natyrisht edhe tek familjarët e saj”, deklaroi Rushiti.

Ajo shtoi se stigma për të mbijetuarit bëhet edhe pengesë për të kërkuar drejtësi, për çka shtoi se është rehabilitim thelbësor dhe kthim i dinjitetit.

“Drejtësia nuk është thjesht vetëm ndëshkim por njohje dhe shërim edhe këtë më së miri e kemi parë në praktikat tona. As drejtësi penale, e as ajo restauruese nuk mund të adresojë tërësisht dëmin kompleks që e përjeton një e mbijetuar. Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës duhet të shkoj përtej ndëshkimit të autorit të krimit. Ajo duhet të jetë një sistem gjithëpërfshirës ku e vë në pah edhe e mban përgjegjës autorin e krimit, duke siguruar që të mbijetuarit të ndjehen të mbrojtur në këtë proces dhe lënda e tyre të trajtohet në konfidencialitet”, shtoi Rushiti.

Shefi i sektorit për sundimin e ligjit dhe ekipit për te drejtat e njeriut nga Zyra e përfaqësuesit special të BE-së, Jarmo Feliks Helppikangas tha se po bëhen përpjekje për të ofruar drejtësi.

“Ka pasur përmirësime, si për shembull Agjencioni për Drejtësi Tranzicionale që është adaptuar kohëve të fundit dhe tani për këtë dhe pjesë të tjera normalisht merr kohë që të bëhet rekomandimi dhe ka pasur përpjekje rreth kësaj. Normalisht që kërkon përkushtim dhe përpjekje për të gjitha këto përgjigje, shkon më pjesën e aprovimit të buxhetit nga ana e qeverisë dhe kuvendi. Megjithatë, të gjitha këto janë diçka që kërkohen nga pjesa dhe ana e drejtësisë. Por, çfarë nuk duhet të harrojmë këtu është normalisht viktimat dhe dëshmitarët, ata janë thelbi i kësaj, ata duhet të dalin para drejtësisë dhe gjithashtu të tregojnë anën e tyre të tregimit është një sfidë mjaft e madhe”, përfundoi ai.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.

Për dhunim seksual nga gjykatat vendore është dënuar vetëm Zoran Vukotiq, me vendim të formës së prerë.

Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm rreth 2.000 e kanë marrë atë.