Rupert Neudeck: Politikanët e Kosovës janë kriminelë!

Rupert Neudeck, bashkë-themelues i Komitetit Cap Anamur dhe kreu i “Helmetave të Gjelbërta”, flet për dëshpërimin e njerëzve në Kosovë dhe jostabilitetin në vend. Në një intervistë për Kölner Stadt-Anzeiger, njëri prej humanistëve më të mëdhenj evropianë dhe mik i madh i Kosovës ngre akuza të rënda për kastën politike kosovare.

Lajme

30/03/2015 19:11

Neudeck, mijëra njerëz e kanë lëshuar Kosovën përmes Serbisë me autobusë dhe shumë prej tyre po vijnë në Gjermani. Si është për t’u shpjeguar ky eksod?

Neudeck: Në mënyrë të qartë, ekziston një mungesë e tmerrshme e perspektivës në Kosovë. Papunësia është e madhe. Edhe fermerët ankohen se po varfërohen. Shteti është në duart e politikanëve të papërgjegjshëm dhe djallëzisht të korruptuar, gjithmonë mendojnë për të mirën e tyre – dhe jo për qytetarët. Më shumë, politikanët janë nganjëherë thjesht kriminelë. Kështu kryetari i një qyteti të madh të Kosovës është i dënuar për kontrabandë. E megjithatë njeriu është ende në detyrë.

Që nga lufta e Kosovës dhe që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka marrë shumë ndihma ndërkombëtare. A ishte gjithçka e kotë?

Neudeck: Ky është një prej krimeve të pabesueshme që asgjë pozitive nuk është bërë për njerëzit nga paratë. Këtu, Bashkimi Evropian duhet, këtu Gjermania ka nevojë për të ngritur presionin dhe të thonë: “Ndihma është në dispozicion vetëm në qoftë se i hiqni qafe politikanët kriminelë dhe i dërgoni pas grilave! Nëse ju jeni një qeveri që është aty për vendin – dhe jo anasjelltas!”.

A mundet aty EULEX-i, i cili ka një kontigjent prej gjykatësve, oficerëve të doganës dhe rojeve të burgut në Kosovë, të bëjë një ndryshim për më mirë?

Neudeck: Ky mision deri tani është dëshmuar vetëm si një vetëmashtrim evropian dhe zhgënjim për popullin e Kosovës. Misioni i EULEX-it ka dështuar plotësisht. Asgjë nuk do të ngjante po qe se do bëhej heqja e përjashtimi i këtij misioni- me përjashtim të interesave të njerëzve të paguar shumë që punojnë për EULEX-in. Shumë qytetarë në Kosovë nuk e dinë nëse edhe ka mision të tillë. Ata nuk e vërejnë atë, sepse nuk ka asgjë pozitive të theksohet për të. Nëse të gjitha paratë, që janë djegur kot, do të investoheshin atje në ndërtimin e qendrave të formimit profesional, popullsia do të mund të përfitonte së paku nga ato para.

Numri i refugjatëve nga Kosova, pas një shpërthimi të madh, në kohë të fundit ka shënuar rënie të dukshme – por shumë njerëz sërish po vazhdojnë të vijnë. Çfarë probleme shihni ju rreth situatës në Kosovë?

Neudeck: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne duhet ta bëjmë të qartë se largimi i njerëzve po ngjet përmes territorit të armikut të vjetër- Serbisë. Dhe kjo është e organizuar nga kontrabanduesit, të cilët cak e kanë për të fituar një shumë të mirë të hollash. Qeveria në Beograd ka vërejtur me shije të madhe këtë lëvizje të popullatës dhe me sa duket shpreson se Kosova të bie si një kullë prej letrave. Dhe me këtë Serbia shpreson se do të mbajë të gjallë kartën e kthimit në “lojë” në Kosovë.

Jeni duke e dramatizuar situatën tani?

Neudeck: Përkundrazi, kur Serbia të sheh një shans, ajo do të provojë ta marrë Kosovën me grusht shteti. Më pas mund të imagjinojmë sesi edhe presidenti rus, Vlladimir Putini do t’i japë Beogradit mbështetjen vëllazërore ortodokse. Pastaj, Kosova brenda disa ditësh do zhduket si një shtet i pavarur. Unë nuk mund ta imagjinoj se qeveria gjermane do të ishte e gatshme që ushtarët gjermanë janë atje për të luftuar për Kosovën!

Qeveria e Serbisë do të dëmtonte veten nëse do të vepronte kështu. Vendi do që të bashkohet me BE …

Neudeck: Kjo është një levë e cila nga BE-ja dhe qeveria gjermane duhet ta përdorin. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë një të ardhme të mirë ekonomike vetëm në Evropë. Prandaj, ne duhet ti themi qeverisë serbe se ata duhet të ndalojnë punën e kontrabandistëve kriminelë, që organizojnë eksodin nga Kosova. Dhe ne duhet të punojmë për të siguruar që të rinjtë e Kosovës të kenë një perspektivë të mirë të arsimit dhe të jetesës. Nga të gjitha këto, ne gjermanët do të përfitonim më së shumti. Sepse për shkak të fluksit të pakontrolluar të refugjatëve dëmtohemi pikërisht ne./Përgatiti Gazeta Blic/