Rugova është babai shpirtëror i popullit të Kosovës

Isa Mustafa tha se Ibrahim Rugova është babi shpirtëror i popullit të Kosovës, burrështetasi i parë si dhe një udhërrëfyes i mendimit politik për Kosovën demokratike. Dhe e krahasoi me Lincolnin, Gandin, Martin Luter Kingun dhe Havelin...

Lajme

21/01/2014 15:02

Isa Mustafa i dha sot Ibrahim Rugovës epitetin e “baba shpirtëror i popullit të Kosovës”.

E krahasoi me figurat e larta politike dhe të të drejtave njeriut që kanë kaluar kufijtë e shteteve dhe popujve të tyre me shembujt që kanë vënë. Me të tillë si Abraham Lincoln, Gandi, Martin Luter Kingu e Vaclav Haveli.

Tha gjithashtu se Rugova është “njeri i epokave”, i cili, sipas tij, me vizionin e tij të rallë, me dijen dhe formimin e veçantë kulturor e politik, krijoi shenjat dalluese dhe identitare të Kosovës, “nga të cilat LDK’ja nuk do të heqë dorë asnjëherë”.

“Këto shenja, që lidhin traditën me të tashmen, që, si të tilla, hapin horizontin e së ardhmes sonë, janë “Flamuri i Dardanisë”, me shqiponjën dykrenare në mes, me sfondin e kaltër evropian dhe me diellin ilir, dhe Himni madhështor “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, i cili ka një tekst që më mirë se asnjë tjetër paraqet historinë e jetës dhe të sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”.

Lidhja Demokratike e Kosovës në përvjetorin e tetë të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, ka mbajtur një akademi përkujtimore, ku u çmua lartë jeta dhe vepra e ish-Presidentit Rugova.

Në këtë akademi përkujtimore- në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve vendore, ambasadorët e akredituar, njerëz të artit dhe shkencës- foli kryetari aktual i LDK’së, Isa Mustafa.

Në fjalimin e tij, Mustafa tha se Rugova i takon brezit që çliruan mendimin intelektual shqiptarë, dhe më 23 dhjetor 1989 themeluan partinë e parë shqiptare- Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ibrahim Rugova studiuesi dhe dijetari, prijësi dhe burrështetasi i parë i Kosovës, është dhe do të mbetet babai shpirtëror i popullit të Kosovës dhe frymëzuesi i përjetshëm i lirisë së Kosovës”.

“Më 23 dhjetor 1989 u themelua partia e parë në Kosovë, LDK. Që nga ajo kohë Ibrahim Rugova doli në ballë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes gjithë popullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci”.

“Që nga ajo datë e deri në frymën e fundit, më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova nuk pushoi së punuari për vendin e tij, për Republikën e Pavarur, Demokratike e Sovrane të Kosovës, të cilën ai pëlqente ta quante Dardania antike”.

“Presidenti Rugova i priu popullit të Kosovës në periudhën më të vështirë të historisë sonë”.

Isa Mustafa tha se vepra e Rugovës është bërë udhërrëfyesi i mendimit politik, për një Kosovë demokratike.

“Sot me kënaqësi mund të them se jeta dhe vepra e Presidentit Ibrahim Rugova, janë bërë udhërrëfyesi i mendimit dhe veprimit politik, jo vetëm të LDK-së, por i të gjitha forcave që duan një Kosovë demokratike, një Kosovë shtet të rendit dhe të ligjit, atdhe të dashur dhe të përbashkët për të gjithë qytetarët pa dallim kombi dhe besimi.”

“Zoti e bekoftë Ibrahim Rugovën”, tha në fund të fjalës së tij Isa Mustafa.