“Rugova 75 vota para Dreshajt, janë edhe 510 vota për t’u numëruar”
Në Istog sot numërohen 510 vota me kusht dhe vota përmes postës, ndërsa, sipas anëtarit të LDK-së në Komisionin Qendror Zgjedhor, kandidati i LDK-së, Haki Rugova, prin me 75 vota.

Lajme
Numërimi i votave me kusht, me postë dhe i personave me nevoja të veçanta për komunën e Istogut pritet të përfundojë sot.
Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, ka thënë për Gazetën Express se janë 510 vota me kusht, votat përmes postës dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Hamiti thotë se kandidati i LDK-së, Haki Rugova, është në epërsi me 75 vota ndaj kandidatit të AAK-së, Gani Dreshaj, ndërsa ky rezultat, siç tregon ai, do të publikohet sot nga KQZ-ja. Mbrëmë KQZ-ja ka publikuar një rezultat tjetër që e nxirrte Dreshajn para Rugovës me 52 vota. Por, më pas u njoftua se votat ishin administruar gabimisht dhe se kandidati i LDK-së ka epërsi.
Në Komunën e Istogut dje është votuar për të tretën herë me radhë për zgjedhjen e kryetarit të ri. /Express/