Rubin: Thaçi po të kishte dëgjuar Demaçin dhe ekstremistët e tjerë, Kosova do të ishte masakruar, NATO-ja nuk do të kishte intervenuar
Ish-diplomati amerikan James Rubin, i cili dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, ka dhënë një intervistë të gjatë dhe të detajuar ku ka folur për dëshminë e tij, rrethanat e takimit me Thaçin, dhe procesin e Gjykatës Speciale. Rubin tha se nuk e ka parë Thaçin prej pesë vitesh dhe se në…

Lajme
Ish-diplomati amerikan James Rubin, i cili dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, ka dhënë një intervistë të gjatë dhe të detajuar ku ka folur për dëshminë e tij, rrethanat e takimit me Thaçin, dhe procesin e Gjykatës Speciale.
Rubin tha se nuk e ka parë Thaçin prej pesë vitesh dhe se në sallën e gjykatës ata nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë, madje as nuk janë përballur sy më sy.
“Nuk e kam ish-presidentin Thaçi që prej 5 viteve. E kam parë në gjykatore dhe ishte plot dinjitet dhe s’kemi shkëmbyer asnjë fjalë dhe as nuk e kemi shikuar njëri-tjetrin, por e kisha në mendje gjatë gjithë kohës së dhënies së dëshmisë sime,” tha Rubin në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova.
Ai shtoi se gjatë kohës që ishte duke dëshmuar, avokatët dhe gjyqtarët i kishin bërë shumë të qartë se nuk duhej të fliste me askënd për çështjet e dëshmisë, duke e konsideruar këtë diçka të zakonshme në këto raste.
Rubin shprehu shpresë që Thaçi të lirohet së shpejti dhe se do të kenë mundësinë t’ia shtrëngojnë dorën “njëri-tjetrit”, duke e quajtur këtë një kapitull të tmerrshëm në historinë politike të Kosovës. Ai e përshkroi procesin në Hagë dhe akuzat ndaj Thaçit si “të tmerrshme dhe të rreme”.
Në lidhje me akuzat, Rubin theksoi: “Absolutisht. Akuzat kundër tij janë të rreme për dy arsye kryesore. E para nuk kishte zinxhir vertikal komandues në kuadër të UÇK-së që do t’ia mundësonte atij të jepte urdhra apo të merrte vendime. Edhe në atë masë që kishte zinxhir vertikal komandues udhëhiqej nga një njeri që quhej Gjeneral Çeku.”
Ai tha se nuk mendon që ideja e urdhrave nga majat për çfarëdo gjëje është reale, duke shtuar se nëse dikush beson në këtë, është gabim.
“Nuk ishte Thaçi, por ishte Gjeneral Çeku apo komandantët e tjerë.”, tha ai.
Rubin tha se do të ishte i tmerruar po të dënohej Thaçi, duke paralajmëruar se një dënim i tillë do të dëmtonte shumë drejtësinë ndërkombëtare.
Ai kujtoi kohën kur ka punuar me Madeleine Albright dhe themelimin e Tribunalit për krime të luftës në vitin 1993, ku theksi ishte vendosja e përgjegjësisë individuale dhe jo fajësimi i kolektivit.
“Kjo është tash ajo që po ndodhë, të fajësohen Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK për gjërat që nuk kanë ditur dhe nuk mund të ishin përgjegjës, do të ishte fajësim kolektiv i shqiptarëve, kështu do të rritej dhuna. Andaj, duhet gjetur kryesit dhe të dënohen ata, ky është edhe qëllimi i sundimit të ligjit dhe këtyre tribunaleve,” tha Rubin.
Në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale, Rubin tha se Bashkimi Evropian ishte nxitësi kryesor dhe jo Shtetet e Bashkuara, edhe pse SHBA-të mund ta kenë mbështetur idenë.
“Duhet ta them se nuk kam qenë në qeveri kur ka ndodhur kjo. Sa më kujtohet, ka qenë gjatë administratës së parë të Trumpit dhe nuk mund të jem i saktë sa i përket kësaj. Nuk mendoj se ka qenë SHBA-ja motori kryesor prapa Tribunalit të Hagës, por ka qenë Bashkimi Evropian. Kanë qenë liderët evropianë që e donin këtë gjykatë, për të treguar se Kosova ishte duke ndjekur sundimin e ligjit. SHBA-të ndoshta e kanë mbështetur këtë ide, por nuk mendoj se kanë qenë motori shtytës i kësaj,” tha Rubin.
Ai tha se me kalimin e kohës, themelimi i Gjykatës Speciale mund të shihet si një gabim, por theksoi rëndësinë e procesit dhe dëgjimit të palëve të përfshira.
Ai beson se pas përfundimit të procesit, Thaçi dhe të gjithë të tjerët e akuzuar do të lirohen.
Rubin theksoi gjithashtu se duke pasur parasysh kohën e gjatë që ka zgjatur procesi, do të ishte më e arsyeshme që Thaçi të mbrohej nga liria me masa të veçanta, për shembull duke vënë një byzylyk elektronik, pasi ai ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj popullit të Kosovës dhe nuk ka pasur tendencë për t’u fshehur.
Ai foli edhe për historinë dhe rolin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar si një “storje suksesi” krahasuar me ndërhyrjet e tjera amerikane në vende si Afganistani, Iraku apo Libi. Rubin tha se Kosova është një moment i jashtëzakonshëm në historinë amerikane dhe në të gjithë procesin e pavarësisë dhe ndërtimit të demokracisë.
Në lidhje me stilin e udhëheqjes së Thaçit, Rubin tha se ai ka përdorur kompromisin si mjet kryesor të politikës dhe ka qenë i kujdesshëm për të harmonizuar interesat me ato të SHBA-ve dhe Perëndimit. Ai shtoi se pa këtë kompromis, situata në Kosovë do të kishte qenë më e vështirë dhe do të kishte sjellë pasoja më të rënda.
“Çfarë kemi mësuar në gjykim në ditët e fundit është se z. Hashim Thaçi ka treguar lidership duke bërë kompromis. Po të kishte dëgjuar Adem Demaçin dhe ekstremistët e tjerë, Kosova do të ishte masakruar, NATO-ja nuk do të kishte intervenuar. Nganjëherë, lidershipi nënkupton kompromis, dhe duhet ta pranoj që vitet e fundit më ka bezdisur qasja e Qeverisë suaj në shumë raste për të kuptuar vlerën e kompromisit për të arritur objektivat,” tha Rubin.
Ai përmendi edhe situatën aktuale rajonale dhe ndikimin që kanë Rusia dhe Serbia, duke u bërë thirrje liderëve kosovarë që të përqendrohen në dialogun me Serbinë dhe të sigurojnë që përgjegjësia për kompromiset të bjerë mbi Beogradin.
Në fund, Rubin u shpreh se dëshmia e tij për Thaçin ka qenë një privilegj i madh personal dhe një mënyrë për të ndihmuar popullin e Kosovës në një nga kapitujt më të vështirë të historisë së saj.
“Para disa ditësh e kam bërë më të mirën për të ndihmuar popullin e Kosovës në këtë gjykim dhe ia dëshiroj më të mirën dhe jam plot vetëbesim se ata do të marrin vendime pa u përzier unë apo pa u angazhuar në sulme të hollësishme ndaj cilitdo person të caktuar tani,” tha Rubin. “Ka qenë privilegj i jetës sime që të jem aty, atëherë kur mund t’i ofronim ndihmë popullit të Kosovës dhe ende krenohemi me këtë.”, u shpreh Rubin./lajmi.net/