Rryma mund të shtrenjtohet 30% nga prilli, flasin nga ZRrE-ja: Aplikacionet po vlerësohen, në fund të marsit dihet vlerësimi përfundimtar
Përpos problemeve të shumta ekonomike, politike e ato në shëndetësi- kosovarëve duket se do t’u duhet të përballen edhe me një “krizë” tjetër që do t’ua dëmtojë drejtpërdrejtë financat. Rritja e çmimit të faturave të energjisë-elektrike rrezikon të vihet në zbatim që nga data 1 prill 2025. Anipse jo tërësisht e konfirmuar, sipas informacioneve të…

Lajme
Përpos problemeve të shumta ekonomike, politike e ato në shëndetësi- kosovarëve duket se do t’u duhet të përballen edhe me një “krizë” tjetër që do t’ua dëmtojë drejtpërdrejtë financat.
Rritja e çmimit të faturave të energjisë-elektrike rrezikon të vihet në zbatim që nga data 1 prill 2025.
Anipse jo tërësisht e konfirmuar, sipas informacioneve të deritanishme ZRrE- ja do të bëjë rritjen e çmimit të energjisë elektrike madje prej 30 për qind.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar në publik, lajmi.net ka kontaktuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRre) nga ku u konfirmua edhe një herë se kanë pranuar aplikacionet për përshtatjen e të hyrave të lejuar maksimale për vitin 2025.
ZRrE njoftoi se këto aplikacione janë dorëzuar tek ta nga [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO].
Po ashtu ZRrE njoftoi se aktualisht janë në procesin e vlerësimit të këtyre aplikacioneve dhe se nuk është marrë ndonjë vendim.
Sipas tyre pasi të bëhet vlerësimi përfundimtar do të publikohet një raport për konsultim me publikun për një periudhë e cila do të zgjasë dy javë.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar aplikacionet për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara Maksimale për vitin 2025 nga KOSTT, KEDS dhe KESCO. Aktualisht, Zyra e Rregullatorit është në procesin e vlerësimit të këtyre aplikacioneve. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE-ja do të publikojë një raport për konsultim me publikun për një periudhë dy javore”.
Gjithashtu ZRrE tha se pas shqyrtimit të komenteve të marra, pritet që deri në fund të muajit mars të bëhet përgatitja apo vlerësimi përfundimtar që do t’i propozohet pastaj bordit të kompanisë për miratim.
“Pas shqyrtimit të komenteve të marra, pritet që deri në fund të muajit mars të përgatitet vlerësimi përfundimtar i cili do t’i propozohet Bordit të ZRRE-së për miratim. Deri në vlerësimin përfundimtar të aplikacioneve dhe publikimin e raportit konsultativ, ZRRE-ja nuk mund të bëjë komente lidhur me mundësinë e rritjes apo uljes së tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025”,u tha tutje në përgjigjen e tyre.
E në lidhje me këtë situatë të krijuar në kuadër të rrezikut që çmimi i energjisë elektrike të rritet nga Qeveria e Kosovës janë krejtësisht të heshtur.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Ekonomisë, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
E sipas deputetëve të opozitës, Qeveria në detyrë do të duhej të ndërmerrte veçse diçka në lidhje me këtë çështje.
Deputeti i rizgjedhur në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala deklaroi se është afati ligjor për shqyrtimin e tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të përgatiten për këtë fazë.
“Është afati kohor ligjor i shikimit të tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të parapërgatiten për këtë fazë. Nga ajo që shihet, qeveria në shkurt e ka përgatitë terrenin për një rritje të çmimit të energjisë për muajin që vjen e kjo s’do duhej të ndodhte”, shprehet Shala.
Kurse deputetja e zgjedhur sërish nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar qeverinë duke thënë se gjatë mandatit udhëheqës, Qeveria kishte dyfishuar çmimin e energjisë elektrike.
Bajrami ka thënë se një rritje e tillë do ishte barrë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset.
“Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë: A do të rritet sërish çmimi i energjisë elektrike? Në mandatin e kaluar, kjo qeveri DYFISHOI çmimin e energjisë elektrike. Sipas raportimeve të mediave, kompanitë e sektorit të energjisë kanë kërkuar një rritje tjetër të çmimit prej rreth 35%, që do të jetë barrë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset”, theksoi ajo.
“Derisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar dhe po shqyrton kërkesat e kompanive për lejimin e të hyrave për 1 prill 2025 deri me 31 mars 2026, Qeveria në detyrë po heshtë.Qeveria në detyrë e ka për obligim të deklarohet nëse do të lejojë të ketë edhe rritje tjetër të çmimit të energjisë nga 1 prill, apo do të marrë masa për ta parandaluar?Ata duhet ta dinë se edhe dhe një rritje tjetër e faturave të energjisë do të jetë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve – nuk munden qytetarët në vazhdimësi të paguajnë më shumë për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë së qeverisë. mjaft më me rritje çmimesh, mjaft më me justifikime”, shtoi Bajrami.
Duhet përkujtuar se rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike do të “kalopsonte” edhe më tepër situatën në vend sa i përket sfidave të shfaqura për qytetarët nga rritja e çmimeve si në produktet bazë të jetesës, por edhe në ato më me pak rëndësi për secilën familje. /Lajmi.net/