Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon të shtyhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike i cili në parim do të duhej të rezultonte në kushte më të favorshme për bizneset, në rrethanat aktuale ku shumica e kompanive të licensuara për furnizim me energji elektrike nuk i kanë kapacitetet e duhura, padyshim se do të rrisë çmimin e energjisë elektrike, duke ngarkuar dhe më tutje barrën financiare të bizneseve.

Lajme

26/03/2021 09:36

Rrjeti i Shitësve me Pakicë vlerëson se vetëm njëri nga furnizuesit me energji elektrike ka aktualisht kapacitetet për të shërbyer si furnizues i mundësisë së fundit dhe rrjedhimisht mungesa e alternativave dobëson pozitën negociuese të bizneseve. Bazuar në kontaktet preliminare të mbajtura nga bizneset vlerësohet për një rritje të mundshme të cmimit së paku 20% nga furnizimi me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara, dhe marrë parasyshë humbjet e gjeneruara edhe nga pandemia, do të vendoste bizneset në një pozitë ende më të vështirë financiare.
Në këtë drejtim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë vlerëson se rritja e cmimit të energjisë elektrike si rrjedhojë e liberalizimit të tregut do të mbipeshonte cdo efekt pozitiv të paraparë marrë parasyshë mungesën e alternativave për zgjedhjen e furnizuesve të përshtatshëm të cilët janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat e konsumatorëve komercial.
Rrjedhimisht, Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të marrë vendim urgjent për shtyerjen e afatit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike të paraparë nga data 1 prill 2021, deri në rrethana kur edhe furnizues të tjerë do të bëhëshin funksional dhe në gjendje të ofrojnë alternativa të favorshme për furnizim me energji elektrike. /Lajmi.net/