Rrjeti i Grave: Të votohet ligji për gratë e dhunuara gjatë luftës

Përkrahja e finalizimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit, sipas RrGGK, bën të mundshme njohjen e statusit të të mbijetuarave/ëve të dhunës dhe të abuzimeve seksuale gjatë luftës së armatosur të vitit 1998-1999 në Kosovë.

Lajme

19/03/2014 19:38

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të përkrahin ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Përkrahja e finalizimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit, sipas RrGGK, bën të mundshme njohjen e statusit të të mbijetuarave/ëve të dhunës dhe të abuzimeve seksuale gjatë luftës së armatosur të vitit 1998-1999 në Kosovë.

“Gratë që kanë vuajtur dhunë seksuale kërkojnë që të futen në mes të kategorive të personave të prekur nga lufta. Kjo do të ofronte njohje, fund të stigmatizimit dhe kthim të dinjitetit. Pasi që dhuna seksuale është përdorur si armë e luftës, atëherë gratë duhet të trajtohen si të gjitha viktimat e luftës”, thuhet në kërkesën e RrGGK-së.

Më 8 mars 2012, RrGGK organizoi protestën me moton: “Nuk duam lule por duam drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës”, përmes së cilës ky rrjet kërkoi mbrojtje ligjore për gratë e dhunuara gjatë luftës.

Duke pasuar më shumë se një vit të punës avokuese intensive që bashkoi gratë e shoqërisë civile dhe gratë në politikë, më 14 mars 2013, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Poashtu, RrGGK ka shkruar letra të ndryshme, së bashku me grupe të tjera të shoqërisë civile, duke kërkuar nga deputetët që të kalojnë këtë amandamentim të rëndësishëm, për t’iu kthyer dinjitetin grave që kanë vuajtur mjaft.