Rritja e pagës minimale: Apelohet që Qeveria të ndihmojë bizneset e vogla ose do të falimentojnë
Rritja e pagës minimale në vlerë prej 264 eurove po konsiderohet të jetë e dëmshme për bizneset e vogla. Kështu po vlerësojnë ekspertë të ekonomisë, të cilët apelojnë që Qeveria t’i ndihmojë mikrobizneset, qoftë me subvencione të qirasë apo në forma të ndryshme, në mënyrë që të mos falimentojnë. Kuvendi i Kosovës pa opozitën, para…
Lajme
Rritja e pagës minimale në vlerë prej 264 eurove po konsiderohet të jetë e dëmshme për bizneset e vogla. Kështu po vlerësojnë ekspertë të ekonomisë, të cilët apelojnë që Qeveria t’i ndihmojë mikrobizneset, qoftë me subvencione të qirasë apo në forma të ndryshme, në mënyrë që të mos falimentojnë.
Kuvendi i Kosovës pa opozitën, para 10 ditësh ka miratuar Ligjin për Pagën Minimale. Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se në Kosovë janë 80,985 persona që paguhen më pak se 264 euro në muaj. Sipas tij, janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë.
Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të premten e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për pagën minimale.
Ekspertët e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria të ndërmarrë hapa të nevojshëm në këtë drejtim, në mënyrë që të parandalohet rritja e informalitetit.
Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija thotë për KosovaPress se disa nga bizneset e vogla e kanë problem t’i përmbahen këtij kriteri, në këtë mënyrë, ai thotë se shumica e bizneseve të vogla do të falimentojnë.
“Në rast se do të bëhet obligative që do të kenë një pagë fikse 250, apo çfarëdo vlere për këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre… Kjo për shkak se ndërmarrjet e vogla dhe mikro ndërmarrjet e kanë vështirësinë e qarkullimit të kesh-it dhe vështirësinë e kapitalit dhe aseteve tjera financiare, të cilat atyre u pamundësojnë që t’u përmbahen një kriteri të tillë për të vendosur një pagë minimale për punëtorët e tyre 250 euro”, thotë Avdija.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK),Lulzim Rafuna thotë se rritja e pagës minimale do t’i dëmtojë ndërmarrjet e vogla.
Sipas Rafunës, para se të sillet ligji është dashur të bëhej një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale te këto biznese.
“Para se të sjellet ligji ish dashtë me qenë një studim, një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale, sidomos tek bizneset e vogla që fillojnë punën. Por, ne edhe më herët e kemi ngrit zërin që bizneset e vogla të ndihmohen në një periudhë të caktuar kohore, derisa të stabilizohen pak. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm, në momentin që fillon të implementohet ligji që mos të dëmtohen asnjë biznes, duke përfshirë edhe ato biznese që sapo kanë filluar punën”, shprehet ai.
Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.
Në këtë drejtim, ai thotë se shteti duhet t’i ndihmojë këto biznese me politika fiskale.
“Duhet të përgatitet një paketë e masave fiskale, sidomos tek subvencionimi i qirasë për një periudhë të caktuar kohore ose subvencionimi i fuqisë punëtore, aty ku hasen në vështirësi, me pas ndihma në forma të ndryshme, në zbutjen e interesave. Ka mënyra të ndryshme dhe ka masa të ndryshme, vetëm është çështje e një studimi dhe vlerësimi nga ana e institucioneve të vendit, në bashkëpunim me biznesin dhe të shihen cilat janë ato masa më të dobishme dhe që krijojnë një efekt më të mirë për të ndihmuar biznesin”, thotë Rafuna.
Ndërsa, hulumtuesi nga Riinvest, Visar Vokrri potencon se rritja e pagës minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit te punëtorët.
“Kjo pagë minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit, për shkak se kemi pas një numër të bizneseve që kanë deklaruar ndoshta pagën e punëtorëve deri në nivel të pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër ua kanë kompensuar përmes kanaleve joformale. Pra, në këtë kontekst konsideroj se qeveria tani duhet të jetë më e kujdesshme dhe të fokusohet në masat që kanë për qëllim uljen e informalitetit. Pra, në rritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës, në mënyrë që kësisoj të parandalojë rritjen e mëtutjeshme të informalietit si rezultat i rritjes së pagës minimale”, thotë Vokrri.
Përndryshe, me 60 vota për dhe një abstenim, para 10 ditësh është miratuar ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet në vlerë 264 euro. Ndërsa, në votim nuk është mbështetur asnjë amendament.
Ndërkaq, është bërë pothuajse një vit prej kur ky projektligj ishte miratuar në parim.
Shqyrtimi i këtij dokumenti është pezulluar nën arsyetimin se po synohet konsensusi me veteranët e UÇK-së që projektligji nuk ua garanton pensioni në masën e pagës minimale. Amendamente për këtë kanë dorëzuar në Kuvend dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, ku kishin kërkuar të fshihen nga projektligji nenet, me të cilat parashtrojnë nga përfitimi i pagës minimale, kategoria e veteraneve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër. Mirëpo, asnjëra nuk është mbështetur nga pozita në momentin e votimit.
Kundër këtij ligji me protesta janë shprehur edhe organizatat e dala nga lufta. Ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe janë në pritje të vlerësimit nga ekspertet e zyrës së presidencës.
Veteranët kanë paralajmëruar protesta para Kuvendit edhe të mërkurën e javës që vjen