Rritja e çmimit të rrymës, ZRRE-ja po shqyrton komentet për tarifën e energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk ka filluar me shqyrtimin e komenteve për tarifat e reja në kuadër të shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Lajme

05/02/2022 22:55

Nga ZRRE-ja thonë se tarifat e reja nuk kanë filluar ende të zbatohen.

“Ekspertët e ZRRE janë në proces të vlerësimit të komenteve dhe përgatitjes së raportit përfundimtar ku do të përfshihen edhe përgjigjet ndaj komenteve të pranuara. Agjenda për mbledhje të bordit së bashku me çështjet që trajtohen bëhet publike. Ne do t’ju njoftojmë në kohë për mbledhjen e radhës që do të mbahet nga bordi”, thonë nga ZRRE për RTK-në.
Ndërkaq zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala ka thënë se KEDS pret që tarifat e reja të aplikohen nga ky muaj.

“Presim që tarifat e reja të hyjnë në fuqi nga 1 shkurti, mirëpo cili vendim dhe si e çka do të veprohet është çështje që i takon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, tha Buzhala.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë pritet që gjatë shkurtit të dalë me raport final në lidhje me tarifat e reja të rrymës.

Organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE ka thënë se rritjes së çmimit të rrymës do t’i shpëtojnë vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 600 kWh rrymë në muaj.
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.